E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia në prag kolapsi politik e social

Leonard Olli 

Zemërimi mbarëpopullor  në Greqi nuk ka të ndalur. Vrasja e 15-vjeçarit Aleksandros Grigorakis nuk bëri asgjë më shumë se të derdhte gotën e pakënaqësive ndaj Qeverisë Karamanlis. Në fakt, pamjet që vijnë nga mediat greke na kujtojnë një përvojë shumë të hidhur e tragjike që ne shqiptarët, në kushte dhe për arsye të tjera, e përjetuam rreth 11 vite më parë, gjatë vitit të mbrapshtë ‘97. Djegiet, shkatërrimi i dyqaneve e më pas grabitjet e tyre vazhdojnë për të pestën ditë jo vetëm në kryeqytetin grek Athinë, por edhe në të gjitha qendrat më të mëdha urbane të shtetit fqinj.
Në fakt, vrasja me gjakftohtësi e nxënësit 15-vjeçar nga një oficer police provokoi një reagim mbarëpopullor, fillimisht spontan, por që tashmë ka marrë një formë shumë më të mirorganizuar. Kjo për vetë faktin se, në historikun e saj, policia greke shënon mjaft raste dhune të ekzagjeruar, që jo në pak raste ka kaluar deri në marrje jete ndaj personash që nuk paraqisnin asnjë rrezikshmëri. Kjo pjesë e dhunës policore greke është kritikuar ashpër dhe nga institucionet e BE-së, e sidomos në raport me trajtimin e emigrantëve të huaj që jetojnë në shtetin helen. Por ajo që e bën akoma më tragjike dhe shumë më të pashpresë situatën, është se policia i ka duart e lidhura dhe nuk mundet të përdorë forcën në parametrat e nevojshëm për të ndalur këtë dhunë, pasi sikundër kuptohet situata është jo vetëm e ngarkuar emocionalisht, por dhe tepër komplekse. Si qeveria ashtu dhe drejtuesit e lartë të policisë greke janë të ndërgjegjshëm se çdo përdorim force qoftë dhe në parametrat e lejuar nga kuadri ligjor, nuk do të bënte asgjë më shumë se të provokonte turmat e irrituara, thënë ndryshe do t’i hidhte benzinë zjarrit të zemërimit qytetar. Një zemërim që po shfrytëzohet mjaft mirë jo vetëm nga lëvizja anarkiste e ekstremit të majtë, por dhe nga vetë kundërshtarët politikë të Demokracisë së Re.
Këtu qëndron dhe ana tjetër e medaljes së këtyre ngjarjeve tragjike. I gjithë lidershipi i politikës, edhe pse e ka konsideruar vrasjen një rast tepër tragjik dhe veprim të një individi që nuk meritonte të quhej oficer policie dhe jo më të ishte pjesë e uniformave blu, nuk ka ngurruar të akuzojë qeverinë aktuale për paaftësi drejtimi dhe mungesë të plotë vizioni,  e për më tepër si të pashpresë në vendosjen e rendit.
Në fakt, që pas marrjes së mandatit të dytë, Qeveria Karamanlis është përballur me situata tepër të vështira, si ekonomike ashtu dhe politike. Reformat e paraqitura prej saj, e kryesisht ato në fushën e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve janë kundërshtuar me forcë, si nga sindikatat ashtu dhe nga opozita greke. Grevat dhe protestat në rrugë vazhdojnë prej kohësh në lidhje me këtë problem. Po kështu, edhe reformat e iniciuara në lidhje me arsimin e lartë privat kanë ndeshur në kundërshtinë e plotë si të stafeve akademike, studentëve dhe shoqatave të prindërve. Vetëm pak muaj më parë, qeveria u përfshi në një skandal të madh mbi disa kalime pronësish nga Kisha Ortodokse greke në duart e privatëve, me ndërhyrje të zyrtarëve të lartë grekë. Për pasojë, dy ministra, njëkohësisht bashkëpunëtorë të afërt të z. Karamanlis, u detyruan të japin dorëheqjen. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, kriza globale financiare ka patur ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë greke. Dy grupe të mëdha bankare helene, rezultuan të kishin investuar miliarda dollarë në pasuritë e patundshme në SHBA, duke rrezikuar kështu zyrtarisht falimentimin, pa përmendur këtu situatën e vështirë të ekonomisë në tërësi në Greqi.
Është e qartë që këtë herë fati nuk është nga ana e Kostas Karamanlis. Krejtësisht i ndërgjegjshëm, lideri i opozitës greke (PASOK), Jorgos Papandreu po përpiqet maksimalisht ta kthejë këtë situatë në favor të tij dhe forcës politike që ai drejton. Deklaratat e bëra prej tij jo vetëm pas takimit me Karamanlis, por kryesisht nga foltorja e Parlamentit grek ishin një paralajmërim i qartë se PASOK-u do të bëjë çdo përpjekje për të kaluar vendin në zgjedhje të parakohshme, që sigurisht nuk mund të cilësohet si një veprim i matur e i urtë politik. Papandreu gjatë fjalës së tij u shpreh: “Kjo qeveri nuk mund t’i ofrojë më asgjë Greqisë. Alibitë e saj këtu morën fund. E vetmja gjë që Qeveria Karamanlis mund të ofrojë është largimi i saj”. Vetë kreu i qeverisë helene refuzoi të pranonte dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Pavlopulos, në një lëvizje taktike për të treguar se qeveria nuk mund të konsiderohej përgjegjëse për një veprim individual, edhe pse nga një nëpunës shtetëror me uniformë. Por kjo ishte vetëm një ditë pas ngjarjes. Sot situata është akoma më komplekse dhe shumë më e trazuar. Ideja se mund të vendoset gjendja e jashtëzakonshme jo vetëm që do të sjellë pështjellime më të mëdha, por do të jepte argumente shtesë që ekzekutivi grek nuk ka as moralin dhe as mundësinë për të drejtuar vendin. Njëkohësisht, askush nuk do të ngurronte ta krahasonte një veprim të tillë, të ngjashëm me atë të grushtit të shtetit të “kolonelëve”, në vitin 1967.
Nga ana tjetër, shkatërrimi e grabitja e pronës së qytetarëve si edhe paraliza që ka përfshirë gjithë mënyrën e jetesës së përditshme në Greqi, duhet të marrë fund një orë e më parë, përndryshe dëmi ekonomik do të kapë shifra astronomike. Kjo ishte dhe arsyeja që Karamanlis filloi takimet me krerët e të gjitha institucioneve dhe forcave politike parlamentare. Shpresa e tij, për të mundësuar konsensusin politik mbi përdorimin e forcës për vendosjen e rendit, duket se nuk dha rezultatin e duhur. I vetmi që e dha këtë konsensus qytetar dhe institucional, deri në këtë moment, ishte Presidenti Karoljos Papuljas, i cili bëri thirrje publike për të ruajtur qetësinë dhe ndaljen e menjëhershme të dhunës. E ndërsa opozita greke është në pritje, Karamanlis duhet të japë jo vetëm zgjidhje të shpejtë, por dhe të plotë për të mundësuar kështu përfundimin e këtij mandati të dytë, e kapërcimin e kësaj situate të paprecedentë. Kalimi në zgjedhje të parakohshme nuk mund të konsiderohet zgjidhja optimale. Situata e agravuar ekonomike dhe sociale do të rëndohej akoma më shumë nga një fushatë elektorale nën presion. Ndoshta një riformatim i kabinetit menjëherë pas qetësimit të situatës, mund të konsiderohej si një rrugë shpëtimi, edhe pse me kosto shumë të lartë politike. Vetë brenda Demokracisë së Re, prej kohësh, ka një luftë të ashpër “brenda llojit” dhe nuk dihet nëse Karamanlis mund të ruajë ekuilibrat e nevojshëm, pasi dhe numrat në parlament nuk janë aspak në favor të tij. Vetëm një muaj më parë dy deputetë u përjashtuan nga radhët e grupit parlamentar të Demokracisë së Re, duke vënë seriozisht në pikëpyetje maxhorancën e saj.
Fillimi i grevës së përgjithshme nga e ana e sindikatave, pa asnjë hezitim të detyron të pohosh se shteti helen ndodhet në një kolaps politik e social të përmasave shumë më të mëdha se ajo e fundit të viteve ‘80. Një krizë, e cila mund të ketë ndikimin e vet negativ në të gjithë rajonin, me një efekt domino ekonomik e social, i cili duhet të merret shumë seriozisht nga të gjitha vendet ballkanike. Si i vetmi vend anëtar i BE-së në rajon, askush nuk duhet të anashkalojë rëndësinë e madhe që shteti grek luan, aktualisht, në kuadër të stabilitetit ekonomik, por, pse jo edhe politik në rajonin tonë. Në lidhje me Shqipërinë shpërndarja e parlamentit do të sillte vonesa në lidhje me nënshkrimin e MSA-së, por dhe të ratifikimit të Protokollit të NATO-s. Ndërkohë që kriza ekonomike prek ndjeshëm shqiptarët me banim aty dhe familjet e tyre në Shqipëri. Çështja e hapur në lidhje me emrin e Maqedonisë, por dhe marrëdhëniet problematike me Turqinë mund të hyjnë në një rrugë pa krye.
Duket se Greqia po përjeton një situatë që më mirë se çdo përshkrim e shpreh vetë proverbi helen: Përpara humnerë, mbrapa greminë!   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›