E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: E vetmja zgjidhje, zgjedhjet e parakohshme

SHKRUAN: Fejzi Braushi 05-02-2011 10:04

Zgjidhje pa zgjedhje nuk ka për socialistët. Këtë e ka konfirmuar dje Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, fill pas protestës, duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë se as zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit, nuk mund të zhvillohen në këtë klimë. Duke falënderuar qytetarët që morën pjesë në katër tubimet e djeshme në katër qarqe, kryetari i PS-së ka bërë të qartë se protesta do të jetë rruga e vetme e opozitës, deri sa të detyrojë qeverinë që të pranojë një zgjidhje për situatën. “Kjo është rruga jonë, asgjë s’na zmbraps në përpjekjen për të shpëtuar vendin nga regjimi i kusarisë, në një rezistencë paqësore të pandërprerë, e cila do të vazhdojë të premten e ardhshme në qytete të tjera, ndërkohë që në Tiranë do të demonstrojnë përsëri si sot, në 11 karvane qytetarësh të çdo njësie bashkiake përgjatë shumë rrugëve të kryeqytetit”, - tha Rama. Duke iu referuar pikërisht situatës politike, Rama ka bërë të ditur se zgjedhjet e parakohshme mbeten e vetmja rrugë që mund të sjellë zgjidhje të problemit. “Zgjedhjet e parakohshme janë një domosdoshmëri përditë e më jetike, për një vend i cili po vuan përditë e më shumë daljen mendsh të pushtetit, por edhe daljen e shtetit nga rruga e Kushtetutës dhe Ligjit, për t’i shkuar pas pushtetit të dal mendsh”, - u shpreh kreu socialist. Por pavarësisht kësaj, ai ka përjashtuar që në këto kushte që ndodhet sot vendi, të mund të zhvillohen zgjedhje, qofshin këto lokale, apo edhe të parakohshme, duke lënë të kuptohet kështu se zgjidhja duhet të jetë politike, për të krijuar më parë klimën dhe infrastrukturën e duhur. “Në këto kushte që është vendi, nuk mund të ketë zgjedhje të asnjë lloji”, - tha Rama. Ndërkohë, duke iu referuar pikërisht qëndrimit që kanë mbajtur ndërkombëtarët, përsa i përket zgjedhjeve të parakohshme, kreu socialist ka theksuar se nuk është detyrë e tyre që të bëjnë opozitën në Shqipëri. “Pa asnjë dyshim, as kemi pritur dhe as nuk kemi pse të presim që partnerët tanë ndërkombëtarë të përcaktojnë zgjedhjet e parakohshme, apo ato të paskohshme, si një opsion. Miqtë dhe partnerët tanë janë në pozicionin e tyre, në rolin e tyre, në predispozitën e tyre të njohur prej 20 vitesh, për të asistuar dhe për të ndihmuar Shqipërinë. Nuk kanë detyrë të bëjnë opozitën e qeverisë dhe njëkohësisht në një proces kaq të ndërlikuar sa ky që po kalon Shqipëria, ata besoj po bëjnë më të mirën, duke dëshmuar vullnet e gatishmëri për të lehtësuar rrugët ku palët këtu në vend duhet të ecin për të kërkuar zgjidhjen. Për ne zgjedhjet e parakohshme janë pa asnjë dyshim një zgjidhje racionale dhe e plotë, në rrugën e trajtimit të një krize, e cila thellohet përditë dhe të cilën e paguajnë përditë qytetarët e këtij vendi, për shkak të mungesës së lirive e të drejtave më themelore”, - theksoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›