E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homoseksualiteti dhe integrimi



Debati për legalizimin e martesave mes çifteve homoseksuale na jep një pamje të qartë të paaftësisë së inteligjencës shqiptare për të adresuar drejt problemet sociale. Ashtu si edhe shumë tema të tjera të tilla zhurmëndjellëse, ky debat u zhvillua në një mjedis krejtësisht pa formë, ku palët e përfshira karakterizohen nga mungesa e qartësisë dhe angazhimit konkret në modelimin e shoqërisë. Gjithashtu, ajo çka vihet re në përgjithësi, është mungesa e konsekuencës logjike që karakterizon individët e përfshirë në debat, duke bërë që pozicionimi i tyre pro apo kundër, në të shumtën e rasteve të jetë i rastësishëm dhe pa lidhje me ndonjë paradigmë konkrete sociologjike. Kjo bën që protagonistët e këtij debati të jenë të paqartë duke u shfaqur herë si liberalë, herë si konservatorë, pa ruajtur dot njëtrajtësinë dhe koherencën e gjykimeve të tyre mbi shoqërinë.

E gjithë kjo sjell efekte negative për shkak se, duke mos pasur një strukturë mendimi të integruar dhe të plotë, idetë e paraqitura nuk harmonizohen me njëra-tjetrën, gjë që prodhon kaos vlerash. E gjithë kjo ka bërë që shoqëria shqiptare të vuajë të paktën prej 20 vjetësh, një histeri kolektive, ku nuk ekziston asnjë referencë vlerore për të drejtuar jetën sociale. Mbi të gjitha, sensi i debatit humbet, pasi, siç edhe është normale të ndodhë në të tilla raste, gjykimet përplasen në një mjedis shurdhërie, pa kurrfarë linje komunikimi ndërmjet palëve, gjë që pengon çdo mundësi për ta bërë atë sadopak të dobishëm.

Konkretisht, tema që shtrohet është mjaft e komplikuar dhe ajo mbetet një temë e nxehtë kudo në Perëndim. Tema të tilla kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të sociologëve, psikologëve, mendimtarëve, studiuesve të shumtë, por edhe të vetë forcave kryesore politike në shumicën e vendeve në këtë hapësirë gjeografike. Ndërkohë, në Shqipëri ndodh diçka krejt tjetër. Të dyja palët e japin verdiktin e tyre si një variant përfundimtar të mendimit sociologjik, duke e paraqitur këtë problem si një çështje të mbyllur. Është interesante se debatet më të nxehta në Shqipëri nuk vijnë si tema që hapen për t’u diskutuar, por si probleme që trajtohen një herë e mirë për t’i vënë kapak dhe gjithkush që i shtohet më pas rrethit të debatuesve vetëparaqitet si njeriu që po thotë fjalën e fundit.

Konkretisht, kemi dy palë që ndahen në bindjet e tyre krejt të kundërta, prej të cilave, njëra shfaqet si më konservatore në këtë drejtim, ndërsa tjetra si më liberale. Me përjashtime të rralla, që të dyja shfaqin probleme serioze lidhur me mënyrën sesi e shohin çështjen.

Ajo që bie në sy në reagimet anti-gay, është mosnjohja e kësaj problematike. Këto reagime paraqiten pa ofruar asnjë argument, pa dhënë asnjë ide në lidhje me vizionin konservator për familjen, shoqërinë, moralin, të drejtën. Gjithashtu, askush nuk u pa të ofronte vërtet përgjigje konkrete ndaj tezave që ngrenë lëvizjet pro-gay, në lidhje me të drejtën e pakicave seksuale, në lidhje me natyralitetin e pretenduar të marrëdhënieve homoseksuale, në lidhje me problemet etike të marrëdhënieve të tilla etj. Shpërfillshëm ndaj argumenteve gjuha e reagimeve anti-gay artikuloi vetëm qëndrime morale denoncuese, pa u ndalur në arsyet logjike të qëndrimeve të tilla. Reagime të tilla dëshmojnë faktin se përfaqësuesit e tyre janë krejtësisht të panjohur me gamën e problematikës që ngre ky debat, duke bërë që përplasjet midis palëve të kthehen thjesht në “përplasje injorancash”, të cilat synuan demonstrim force dhe jo logjike.

Nga ana tjetër, pala liberale pro-gay apo tolerante ndaj marrëdhënieve homoseksuale, e trajton lejimin e martesave si edhe të legjitimitetit moral të marrëdhënieve të tilla, si fjalën e fundit të arritjeve emancipuese perëndimore, të cilën shqiptarët do të duhet ta adaptojnë sa më shpejt, për të përshpejtuar ritmet e tyre të integrimit në këto vende. Në një sërë shkrimesh në gazeta të ndryshme legalizimi i martesave gay u trajtua si një akt emancipues, si një nismë që do të përshpejtojë ndjeshëm afrimin kulturor me vendet perëndimore. Ndërkohë që realiteti duket krejt ndryshe. Probleme të tilla janë krejtësisht të diskutueshme edhe në vendet më liberale dhe për sa kohë fenomene të tilla mbeten të diskutueshme edhe nga këto modele burojnë, është absurde t’i trajtosh ato si domosdoshmëri për integrim. Nga ky këndvështrim mund të themi se, pikërisht duke e mbyllur kështu këtë debat, krijojmë më pak ngjashmëri me shoqëritë perëndimore dhe nga ana tjetër, mund të themi se për sa kohë nuk ka ende zgjidhje përfundimtare për tema të tilla, rrjedhimisht edhe qëndrimet konservatore anti-gay janë po kaq integruese.

Përtej diskutimit për homoseksualitetin, ka një prirje të elitave intelektuale shqiptare për t’u shfaqur si liberale në drejtim të problemeve sociale. Pjesa më e madhe e shoqërisë civile si dhe e intelektualëve të paangazhuar në politikë, përpiqet ta paraqesë liberalizmin etik si një standard kulturor të domosdoshëm për emancipimin e shoqërisë. Në mënyrë paradoksale, kjo vjen në një kontrast të ndjeshëm me shumicën e popullsisë, e cila duket ende larg pikëpamjeve të tilla. Është interesante të vërehet se ky dallim ndërmjet shoqërisë dhe elitave vjen si një vijimësi historike, ku që prej Rilindjes Kombëtare, për mirë apo për keq, ka ekzistuar gjithnjë një hendek i tillë, ndërmjet elitave dhe shoqërisë. Kjo ka bërë që elitat shqiptare të jenë gjithmonë misionare, duke synuar të tërheqin tërë shoqërinë drejt projekteve të krejtësisht të kundërt me të. Krijimi i vetëdijes kombëtare, krijimi i identitetit perëndimor shqiptar gjatë viteve ‘20-‘30, krijimi i përkatësisë ideologjike dhe antagonizmit klasor në vend gjatë periudhës komuniste, si edhe sot, krijimi i modeleve kulturore liberale përbëjnë ndoshta zinxhirin e projekteve misionare me të cilat elitat janë përpjekur ta transformojnë shoqërinë gjatë historisë moderne shqiptare. Por, ajo që duket se sot është disi më ndryshe (duke përjashtuar rastin e projektit komunist, i cili përbën një rast krejt të veçantë), ka të bëjë me faktin që misionarizmi i sotëm avangardist i merr modelet perëndimore në mënyrë selektive. Projektet e elitave të sotme riprodhojnë modelet perëndimore në mënyrë të gjymtuar, duke huazuar prej botës moderne pjesën më të papërshtatshme për realitetin shqiptar, e cila, veç të tjerash, përmbledh pjesën më të përciptë të dijeve bashkëkohore.

Ky liberalizëm vjen ndoshta edhe si pasojë e kompleksimit që rrjedh prej së kaluarës, e karakterizuar nga një mungesë e plotë lirie, ku hapësira private nuk ka mundur të ekzistojë dhe ku sfera publike ka dominuar çdo hapësirë të jetës njerëzore. Por, ajo që është më problematike në këtë mes, është fakti që idetë liberale paraqiten në shumicën e rasteve si të vetmet alternativa të mendimit sociologjik perëndimor, të cilat, veç kësaj, shfaqen si të vetmet rrugë drejt emancipimit dhe integrimit të shoqërisë shqiptare. Konservatorizmi është thuajse inekzistent në realitetin intelektual shqiptar dhe ai përmendet kudo si një rrobë e keqe e vjetruar, të cilën duhet ta flakim tej medoemos, për t’u bërë të pranuar në radhët e vendeve të qytetëruara.

Ky lloj liberalizmi aspak liberal duket se përbën paradoksin më të çuditshëm të mendimit etik dhe social në Shqipëri. E gjithë kjo përbën një rendje të pakuptimtë për t’u integruar në gjysmën më të largët dhe më të huaj të Evropës, e cila jo vetëm që nuk është e thënë dhe nuk duket të jetë gjysma më e shëndoshë e saj, por mbi të gjitha, duket qartë që është gjysma më e papërshtatshme për t’u brendësuar në realitetin shqiptar. E papërshtatshme jo thjesht për distancën që na ndan prej saj, por edhe për vetë faktin se kapërcime të tilla nuk mund të kalojnë pa prodhuar realitete traumatike si ato që po kalon aktualisht shoqëria shqiptare. Pikërisht, prandaj edhe modelet që propozon liberalizmi shqiptar, përbëjnë një kërcënim për ekuilibrat shoqërorë, duke krijuar një mjedis social vleror kaotik, siç edhe po ndodh në Shqipëri përgjatë këtyre viteve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›