Rikonceptim i planeve dhe programeve mësimore
Në këtë vit akademik që po fillon sot, janë 10 mijë studentë të sistemit të ditës të cilët ia kanë besuar arsimimin e tyre të lartë profesional institucionit tonë, i cili këtë vit feston 10 -vjetorin e një tradite të mrekullueshme. Në këtë 10-vjetor të themelimit të Shkollës Normale, e cila ishte dhe zanafilla e Universitetit “A. Xhuvani”, institucioni ynë u ofron rinisë shqiptare 26 programe studimi të nivelit të parë, 2 prej të cilëve fillojnë për herë të parë këtë vit; 12 mastera të nivelit të parë dhe 4 diploma të nivelit të dytë. Por arritjet tona nuk janë dhe nuk mund të jenë vetëm këto.
Studentët e Universitetit “A. Xhuvani” dhe i tërë stafi mësimdhënës prej 250 pedagogësh e fillojnë këtë vit akademik me një përmirësim shumë të ndjeshëm të infrastrukturës, i cili është shumë afër standardeve evropiane të hapësirës fizike dhe mjediseve që i takojnë çdo studenti; këtë vit, përveç mjediseve të zakonshme, janë në dispozicion të studentëve rreth 20 auditorë me kushte optimale dhe me një kapacitet 100-250 vende secili.
Por, ajo që na gëzon në këtë ditë, nuk është vetëm infrastruktura moderne. Unë jam optimist për këtë vit të ri akademik edhe sepse ne kemi arritur të realizojmë një rikonceptim të ri dhe mjaft bashkëkohor të planeve dhe programeve mësimore, duke i afruar ato në masën më të mirë të mundshme me kërkesat e Deklaratës së Bolonjës, po pse të mos ta themi, edhe me standardet e disa universiteteve të suksesshme të Evropës Perëndimore. Këto plane dhe programe janë realizuar duke iu përmbajtur 3 parimeve fondamentale të arsimit të lartë që janë koherenca, krahasueshmëria, e cila synon të bëjë të mundshme mobilitetin e studentëve edhe fleksibilitetin, i cili mundëson përshtatjen e kurrikulës me kërkesat e tregut të punës.
Në të gjithë këtë punë të palodhur të strukturave drejtuese dhe të 250 pedagogëve, në të gjithë këtë proces që ka më shumë se një vit që ka nisur dhe që është në vazhdim, ne kemi pasur si prioritet kryesor edhe integrimin e procesit mësimor me kërkimin shkencor, sepse ne besojmë se është ky i fundit ai që u jep institucioneve të arsimit të lartë profilin e vërtetë universitar. Kështu, këtë vit ne jemi duke punuar për krijimin e qendrave të kërkimit shkencor dhe për fuqizimin e qendrave ekzistuese me projekte hulumtuese. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, pjesëmarrës në këto projekte do të jenë edhe vetë studentët, të cilët angazhimin në këto hulumtime do ta kenë pjesë të procesit mësimor dhe për të cilin do të vlerësohen me kredite.
Jam i bindur që në përfundim të këtij viti akademik, ju do të ndiheni shumë më të pajisur dhe të aftë për të përballuar sfidat e profesionit, por gjithashtu jam i bindur se si nga ana e rektoratit, ashtu edhe nga ana e të gjithë pedagogëve të këtij universiteti do të ketë një angazhim maksimal, i cili do të tejkalojë pritshmëritë tuaja të momentit.
*Fjala e rektorit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, prof. dr. Liman Varoshi, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik