E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita dominohet nga fryma patetike, për të dytin vit radhazi i dhuroi shqiptarëve “përgjigjen negative”

14-10-2011 / Gazeta 55

Progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, reagon LSI


Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama u shpreh një ditë pas publikimit të progres–raportit për Shqipërinë nga Komisioni Evropian se, “përgjigjja negative nga Brukseli është padyshim ajo që nuk meritonin qytetarët shqiptarë, por ndërkaq nuk është një përgjigje e papritur po të kemi parasysh sjelljen politike dhe qasjen e forcave politike ndaj këtij momenti, ndaj këtij procesi shumë të rëndësishëm”. Sipas Ramës, “ajo për të cilën ka më pak nevojë sot shoqëria shqiptare është polemika apo retorika boshe që edhe gjatë një viti nuk ka arritur të prodhojë asgjë”. “Kjo do të thotë që raporti i Brukselit duhet lexuar me shumë përgjegjshmëri. Ndaj progres-raportit duhet reflektuar menjëherë dhe pa humbur kohë, jo me retorikë dhe as me luftë politike, por me përgjegjshmërinë e forcave politike në vend që meriton sjellja politike evropiane”- tha Rama. Sipas tij, reformat janë aty dhe mbeten në pritje të konsensusit politik dhe votimit të ligjeve nga opozita. “Ato janë një sfidë e madhe për të gjithë ne dhe përballë kësaj sfide duhet veprim konkret politik, duhet energji pozitive dhe të heqim dorë përfundimisht nga politika e bojkotit, nga politika e bllokimit, nga politika e kushteve që nuk sjellin asgjë tjetër vetëm se zgjasin edhe më tej këtë që edhe në raport konsiderohet e panevojshme për shoqërinë shqiptare. Edhe një herë LSI i fton të gjithë të lënë mënjanë interesat parciale, personale apo partiake dhe të ngrihen në nivelin e përgjegjësisë që kërkojnë interesat e vendit. Integrimi evropian i Shqipërisë nuk është trill individual, por është një konstante e pandryshueshme e lidhur pazgjidhshmërisht me interesat kombëtare të vendit, me interesat evropiane të qytetarëve shqiptare”- u shpreh Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama shtoi se “nga kjo pikëpamje dhe mbi këtë bazë duhet të shkohet tek bashkëpunimi, tek konstruktiviteti dhe tek kompromisi që sjell produkt pozitiv dhe që na bën të shfaqemi edhe përpara partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë si qytetarë evropianë, që e meritojmë të jemi pjesë e bashkësisë së vlerave evropiane”. “Por, vijon Rama, me keqardhje shikoj që edhe në seancën e sotme plenare të Kuvendit, në vend të reflektimit, ka dominuar patetika”. Në vend të përgjegjshmërisë është shfaqur polemika e ngushtëzuar në mënyrë paradoksale tek një kilogram vaj apo një kilogram makarona. Shqipëria dhe interesat e saj evropiane kanë nevojë dhe kërkojnë angazhim politik të përgjegjshëm, kërkojnë reflektim politik të përgjegjshëm dhe aksion politik që bazohet mbi nevojat e vendit”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›