E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, vëmendje të plotë për aspiratat e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës

14-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret në takim një delegacion të komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës


Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim, një delegacion nga komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, të kryesuar nga z. Galip Beqiri Kryetar i Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen delegacionit dhe i siguroi ata se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë popullsinë e këtyre krahinave, në fushën e arsimit, me tekste shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe me aktivitete për trajnimin e mësuesve të gjuhës shqipe. Gjithashtu, kryeministri u shpreh se do të vazhdojë mbështetja për kuota të veçanta për studentët nga këto troje, si dhe do të mbështeten nisma të tjera, të arsimit të lartë, duke dërguar pedagoge universitare për të zhvilluar ligjërata dhe kurse afatshkurtra. Kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor, si dhe respektimin e të gjitha lirive dhe të drejtave që burojnë nga konventat ndërkombëtare, të domosdoshme për një vend demokratik. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, të kryesuar nga z. Beqiri falënderuan kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që tregon dhe parashtruan disa problematika që kanë të bëjnë me arsimin dhe shëndetësinë, me qëllim që edhe kjo krahinë të zhvillohet si gjithë krahinat e tjera.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›