Opozita drejt Kolegjit, pesë ditë kohë
Opozita ka pesë ditë kohë për t’i paraqitur Kolegjit Zgjedhor kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Kodi Zgjedhor e parashikon një afat të tillë, në përfundim të procesit shqyrtues të ankesës nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Elementi më i rëndësishëm në këtë afat ka të bëjë me faktin se dita e katërt dhe e pestë përkon me fundjavën dhe konkretisht me të shtunën dhe të dielën. Nuk dihet nëse Kolegji është i gatshëm të pranojë ankimimet në këto dy ditë pushimi. Elementi i dytë ka të bëjë me kohën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë zbardhjen zyrtare të vendimit të marrë ditën e djeshme, për të mos shqyrtuar kërkesën e socialistëve. Në përfundim të mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, i kërkoi kreut të këtij institucioni që të mund të merrnin një kopjo të vendimit të marrë. Ristani e garantoi se do të jetë e mundur ta marrë, por Gjonçaj kërkoi një afat konkret. “Sapo të firmoset do ta merrni. Në momentin më të shpejtë. Unë do ta firmos menjëherë”, ju përgjigj Ristani. Më parë, socialistët kanë pretenduar se zbardhja e vendimeve është bërë me vonesë kohe, me qëllim që tu pamundësohej njohja me vendimin përpara ankimimit në shkallën tjetër të gjyqësorit. Deri më tani, Kolegji Zgjedhor ka dhënë tre vendime për çështjen e Tiranës, duke rrëzuar dy padi dhe ka pranuar pjesërisht atë të fundit.