Pavlefshmëria e Tiranës, KQZ refuzon ankimimin e PS-së
Me katër votat e shumicës dhe kundërshtimin e dy përfaqësuesve të pakicës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar marrjen në shqyrtim të ankimimit të depozituar nga Partia Socialiste e që kërkonte kundërshtimin e tabelës që nxirrte fitues Lulzim Bashën dhe pavlefshmëri në 284 qendra votimi në Bashkinë Tiranë. Argumentet e dhëna prej KQZ-së ishin mungesë kompetence për kërkesën e parë dhe tejkalim afati për të dytën. Që në nisje të seancës, në cilësinë e relatorit, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, e ndau në dy momente ankimimin bazuar mbi dy kërkesat respektive. Sipas Ristanit, sa i takon kompetencës, KQZ duhet të konkludojë se ankimimi ndaj vendimit të këtij institucioni duhet të paraqitet pranë kolegjit, sipas nenit 152, dhe jo pranë KQZ-së. “Vendimi i KQZ nuk ka dalë sipas nenit 123 të Kodit, ku parashikohet ankim në KQZ, por është vendim i KQZ për zbatimin e urdhërimit të Kolegjit. Kompetenca i takon Kolegjit Zgjedhor, për të shqyrtuar kërkesën e kundërshtimit të tabelës së rezultatit në Bashkinë Tiranë, të miratuar me vendim 1158, datë 25 qershor 2011”, u shpreh Ristani. Rrjedhimisht, ai propozoi që kërkesa e parë për kundërshtim tabele të mos pranohet për shqyrtim, pasi nuk plotëson kushtin për kompetencën që përcakton germa e parë e nenit 130 të Kodit. Duke ju referuar kërkesës së dytë, Ristani sqaroi se plotëson kriterin e kompetencës dhe legjitimimit, por nuk plotëson atë të afateve. Konkretisht kreu i KQZ-së tha se kërkesa për pavlefshmëri bazohet te neni 160 i Kodit. Sipas tij, Kodi njeh KZAZ-në si organ që shpall kandidatë fitues për njësitë vendore. “Referenca tek paragrafi i dytë i nenit 160 nuk bëhet dot për këtë vendim të fundit të KQZ-së, por për vendimin 711 që e ndërmorëm në cilësinë e KZAZ-së. “KQZ, detyrimin e saj si KZAZ e Bashkisë Tiranë e ka përmbushur në 23.6.2011 me vendimin 711. Afati për pavlefshmëri është ezauruar më 26.6.2011. Sipas Kodit, afati për pavlefshmëri është i njëjtë me kërkimin e pavlefshmërisë së rezultatit. KQZ shqyrton ankimet në funksionin e saj kuazi ligjor. Rezulton se shqyrtimi i pavlefshmërisë nga KQZ bëhet në të njëjtën kohë dhe jo në mënyrë konseguitive”, nënvizoi Ristani. PS, vijoi ai, në zbatim të së drejtës për ankim ndaj rezultatit apo kërkesës për pavlefshmëri zgjodhi të parën dhe me vullnetin e tij përcaktoi rënien në dekadencë për çdo pretendim pavlefshmërie. “Për ankimin administrativ nuk mund të ketë rivendosje në afat për çdo shkak dhe rrethanë. Të kërkosh në përfundim të procesit të drejtën për pavlefshmëri do të thotë të kërkosh rivendosje në afat, çka përjashtohet nga Kodi Zgjedhor. Mosrespektimi i afatit sjell rrëzimin e objektit të dytë që kërkon shpalljen e pavlefshmërisë. I propozoj KQZ-së, që për pikën e parë, kërkesa të mos kalojë për shqyrtim për mungesë kompetence dhe pika e dytë për ezaurim të afatit ligjor”, tha Ristani.
Zv.kryetarja Dëshira Subashi vlerësoi në diskutimin e saj se, PS legjitimohet në kërkesat e saj dhe se në vendimin e KQZ, që kundërshtohet nga PS, thuhet “KQZ vendosi të miratojë tabelat, model 58-11, të hartuar nga grupet e numërimit të KQZ sipas aneksit të këtij vendimi. Të miratojë tabelën e rezultateve, sipas aneksit dy bashkangjitur vendimit”. Sipas Subashit, relatori tha se nuk është kompetent KQZ, pasi jemi në fazën ankimore. “Sipas nenit 123 të Kodit, ligjvënësi ka përcaktuar se hallka e parë e ankimit është KQZ e në këtë kuptim kërkesa është në kompetencën e KQZ. Kërkesa për pavlefshmëri, që përmban ky kërkim i PS, plotëson të gjithë komponentët dhe kërkesat e nenit 130 të Kodit, si në kuptim të kompetencës, ashtu edhe afatit për të cilën relatori tha se është jashtë afatit ligjor. Unë gjykoj se objekti i kërkimit për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë është brenda afatit ligjor, është brenda afatit dhe kjo është e bazuar në nenin 161, pika 1 e Kodit”, sqaroi Subashi. Ky nen, tha ajo, përcakton se ndryshe për ankimimet e tjera, për pavlefshmërinë e zgjedhjeve “pas përfundimit të procesit të ankimit dhe jo më vonë se tri ditë nga nxjerrja e rezultatit të zonës zgjedhore, KQZ shpall të pavlefshme dhe urdhëron përsëritjen e zgjedhjeve në zonën zgjedhore”. Anëtari tjetër Artan Laze tha se “PS është legjitime në këtë ankimim dhe KQZ ka kompetencë, ndërsa kërkesa është brenda afateve. Bazuar në nenet 123 dhe 124 jemi para afateve ligjore që kërkohen”. Në diskutimin e saj, Vera Shtjefni konstatoi se sa i takon kërkimit të parë që kundërshton vendimin 1158 të KQZ, elementi për të cilën shtrohet diskutimi është se KQZ nuk ka kompetencë për shqyrtimin, për shkak se vendimmarrja ishte e lidhur drejtpërdrejtë me ekzekutimin e urdhërimeve të Kolegjit. I njëjti qëndrim u mbështet edhe nga dy anëtarët e tjerë të shumicës në KQZ, Klemend Zguri dhe Hysen Osmanaj. “Nuk mundet që pasi ka ankimuar një vendim të KZAZ në KQZ, ta risjellësh në pozicionin e KZAZ dhe kjo është akrobaci. Kam përshtypjen që subjekti kërkon rivendosjen në afat, por ligji e pengon. Jemi përtej afateve dhe nuk mund të kalojë kjo kërkesë ankimore për t’u diskutuar”, argumentoi Zguri. D.Malaj