E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: Tirana e ka një fitues, është Edi Rama

Rezultati i shpallur nga KQZ me urdhër të Saliut është i pavlefshëm dhe i papranueshëm. Në këtë konkluzion doli dje deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, sipas të cilës e ka parë i madh e i vogël, sesa haptazi e në çfarë mënyre primitive u cenua integriteti i kutive të votimit, për të manipuluar votat në favor të Lulzim Bashës. “E pa i madh e i vogël, sesi në pjesën më të madhe të kutive mungonte kodi i pestë, pikërisht ai kod që mbyll hapësirën nga ku zgjedhësit hedhin fletët në kuti. E pa çdo shqiptar e ndërkombëtar, sesi gjysma e kutive kishin fletë mangët dhe gjysma tjetër fletë me tepri, të cilat gjithnjë favorizonin Lulzim Bashën dhe që tregojnë qartë se pushteti ka futur duart në votat e qytetarëve, për të grabitur fitoren e opozitës në Tiranë”, nënvizoi Xhaçka. I pamë të gjithë kutitë e shqyera dhe fletët jashtë zarfeve, vijoi ajo, por do të mjaftonte fakti që rojtari i kutive të votimit në Lundër është nipi i Sali Berishës, për të kuptuar se çfarë niveli ka arritur manipulimi i rezultatit të Tiranës. Në vlerësimin e deputetes socialiste, Tirana e ka sot një fitues, fitoren e të cilit e pa e gjithë Shqipëria. “Ai është Edi Rama, i cili fitoi me dhjetë vota avantazh ndaj Saliut, Lulit, Ilirit, dublimeve, votuesve shëtitës nga mbarë trevat shqiptare, kartave false të identitetit, presioneve, kërcënimeve e blerjeve të makinerisë manipuluese të pushtetit. Tirana ka sot dhe një humbës, i cili do të bënte mirë të dëgjonte zërin e qytetarëve dhe të pranonte humbjen”, insistoi Xhaçka. Socialistët vlerësojnë se Basha, pasi humbi garën zgjedhore, po përpiqet tani me Saliun e për Saliun të grabisë Bashkinë e Tiranës në tavolinën e Ristanit dhe ndonjë gjyqtari të kapur nga pushteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›