E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS të reflektojë thellë

Ish-kryeministri në grevë, Ilir Meta, i bën thirrje drejtuesve të Partisë Socialiste të reflektojnë thellë në lidhje me Kodin Zgjedhor. Në një intervistë për "VOA", ai komentoi seancën e Kuvendit dhe miratimin e Kodit Zgjedhor në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore. Veprim që, sipas kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk do të mund t‘i zmbrapsë grevistët nga salla e Kuvendit. Meta thotë se nuk përjeton ndonjë emocion të veçantë, për shkak se Rama-Berisha e kanë marrë vendimin për zgjedhjet që në kohën e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, greva, por edhe protesta e pandërprerë e mijëra qytetarëve para parlamentit, është një thirrje tepër civile dhe paqësore për të mos rrezikuar stabilitetin e vendit. Meta shprehu çudi edhe për deklarimet e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erion Braçe se PS nuk do të tolerojë asgjë nga interesat e veta. Veprimet e ditës së hënë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk i bën publike, teksa insiston se nuk do të pranohet në asnjë mënyrë Kodi i Ri Zgjedhor. Pas katër ditësh grevë urie, dhjetë deputetët duken të vendosur për t‘i shkuar deri në fund aktit të tyre të protestës.

Komisioni i reformës zgjedhore mbylli sot hartimin e kodit të ri. Të hënën, pritet që ai të kalojë për votim. A shpresoni se mund të ndryshojë diçka në këtë kohë që ka mbetur zoti Meta?

Mund t‘ju them se komisioni parlamentar për reformën zgjedhore e ka mbyllur vetëm formalisht sot punën. Kjo për shkak se marrëveshja Rama-Berisha për Kodin Zgjedhor dhe procesin e administrimit të zgjedhjeve u mbyll që më 21 prill me ndryshimet kushtetuese. Aty ata eliminuan ndër të tjera edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si organ kushtetues, me qëllim që të reduktonin përbërjen e tij, duke përjashtuar anëtarin që kishte propozuar Lëvizja Socialiste për Integrim. Për të vijuar më tej me monopolizimin e krejt procesit të administrimit zgjedhor, që është praktikisht një atentat i papranueshëm ndaj lirisë së shqiptarëve për të votuar me besim se vota do t‘u shkojë në destinacionin që dëshirojnë. Ndaj, nuk kemi ndonjë emocion nga mbyllja gjoja e këtij projekt-kodi zgjedhor nga zoti Rusmali dhe zoti Xhafa, pasi "bosët" e tyre e vendosën këtë që më 21 prill. Ne kemi qenë të ndërgjegjshëm për këtë gjë dhe kishim paralajmëruar vazhdimisht. Greva e urisë ishte akt ekstrem, por i fundit që mund të merrej në këtë situatë.

Nëse të hënën zoti Meta do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë Kodi Zgjedhor i ri, çfarë kuptimi ka greva juaj për t‘ju kundërvënë këtij ligji?

Unë mendoj se ky parlament, i cili ka një problem të madh legjitimiteti, një pjesë mandatesh janë të trafikuara, mund të bëjë çdo gjë. Edhe më 21 prill ishte ky parlament, që rrëzoi vullnetin e popullit shqiptar të shprehur me referendum në vitin 1998, duke na kthyer nga republikë parlamentare në republikë kryeministrore. Ajo që unë dua t‘u siguroj ju dhe gjithë të tjerët është se ne asnjë herë nuk do ta pranojmë një kod të tillë dhe ky do të jetë një problem shumë i madh. Ne nuk mund të pranojmë që dy njerëz të vendosin të shkatërrojnë çdo princip të zgjedhjeve të lira, të shtetit të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend. Nuk mund të pranojmë kurrë që dy njerëz t‘i rrëmbejnë lirinë të gjithë shqiptarëve, pasi, tek e fundit, kjo liri shprehet përmes të drejtës për të votuar e për të zgjedhur.

Çfarë do të bëni ditën e hënë zoti Meta, a do ta vijoni grevën?

Se çfarë do të bëjmë ne, kjo mbetet për t‘u parë. Ne nuk duam të paragjykojmë nëse do të kenë kurajën ta çojnë deri në fund këtë marrëzi. Greva jonë, por edhe protesta e pandërprerë e mijëra qytetarëve para parlamentit, është një thirrje tepër civile dhe paqësore, për të mos rrezikuar stabilitetin e vendit, lirinë e popullit të fituar me sakrifica, pas një sistemi totalitar. Të kërkosh të fabrikosh një shumicë në të ardhmen, duke përdorur shumicën aktuale, në kundërshtim me principet për zgjedhje të ndershme, apo me Kushtetutën që garanton votën, është tërësisht e papranueshme.

Ju zoti Meta, nuk keni as mbështetjen e Partisë Socialiste në këtë çështje. Çfarë ju bën të mendoni se do të ndryshojë qëndrimi?

Ne mendojmë se Partia Socialiste ka nevojë të reflektojë shumë thellë në këto ditë që kanë mbetur. Jemi edhe të çuditur nga një deklarim sot në Kuvend, i një përfaqësuesi të Partisë Socialiste se ajo nuk toleron nga interesat e veta. Ne nuk kuptojmë se çfarë interesi ka Partia Socialiste të marrë mbi vete një njollë të shkatërrimit të zgjedhjeve, të kontestimit të tyre tetë muaj pa filluar ato. Nuk e kuptojmë se çfarë interesi ka Partia Socialiste që të bëhet ortake me Sali Berishën në manipulimin e procesit të ardhshëm zgjedhor, pasi dihet se grevat e urisë kanë nisur në selinë e PS-së në mbrojtje të votës së lirë që pas 26 majit të vitit 1996. Gjithsesi, është çështje e tyre të marrin vendimet e tyre, ne e kemi marrë vendimin tonë dhe ai përputhet me aspiratën e gjithë shqiptarëve për të mos ju nënshtruar askujt që kërkon të shkatërrojë themelet e shtetit.

Edhe një pyetje të fundit zoti Meta. Si është gjendja juaj shëndetësore në ditën e katërt të kësaj greve?

Gjendja jonë është në përgjithësi e qëndrueshme kur dita e katërt fillon ndoshta pas një orë. Ka disa shqetësime të dy-tre kolegëve tanë, por që janë nën kontroll nga personeli i mjekëve. Ata janë këtu dhe japin ndihmën e duhur për të mbajtur në kontroll ato parametra të nevojshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›