E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita, 'e pamëshirshme' në vitin 2012

Opozita parlamentare nuk pret të bëhen ndryshime të mëdha nga Qeveria e Kosovës në vitin 2012. Partitë opozitare thonë se nuk mund të priten përmirësime nga një qeveri e dalë nga zgjedhjet e manipuluara, andaj, duke pasur parasysh këtë, paralajmërojnë se do të jenë të ‘pamëshirshme’. Nga ana tjetër, pozita kërkon nga partitë opozitare që në këtë vit të hyjnë me vizion të qartë, duke sjellur ide dhe alternativa.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se nuk pret të ketë përmirësime gjatë vitit 2012, nga një qeveri, e cila ka të njëjtin lidership.

“Nuk presim kushedi sa, por ajo që LDK-ja do të bëjë edhe këtë vit do të jetë shumë konkrete, shumë e qartë dhe shumë e vendosur në qëndrimet e saj për të gjitha çështjet që na presin. Sigurisht që duhet të definohet edhe puna e ndryshimeve kushtetuese dhe në ligjin zgjedhor dhe ne besojmë se do të jetë vit zgjedhor dhe qëndrojmë pranë marrëveshjes. Sidoqoftë, do të jemi shumë konkretë dhe të pamëshirshëm në kuptimin e luftimit të çdo gjëje që është në dëm të qytetarëve tanë”, ka thënë Beqiri për Kosovapress.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, sipas Glauk Konjufcës, gjatë vitit 2012 do të jetë edhe më aktive se në vitin që lamë pas.

Konjufca ka thënë për Kosovapress se Vetëvendosja do të jetë iniciatore e shumë ligjeve, mes të cilëve edhe e Ligjit për konfiskimin e pasurisë.

“Mendoj që duhet ta shtojmë punën, duhet ta intensifikojmë edhe më shumë punën tonë brenda Kuvendit, duhet të jemi më aktivë jo vetëm në debate parlamentare, jo vetëm në kontributin tonë për ligje siç vijnë prej qeverisë, por viti 2012, do të shënojë një ngritje të angazhimit të Lëvizjes Vetëvendosje për përpilimin e ligjeve. Domethënë ne do të jemi iniciatorë të ligjeve. Kosova ka shumë mungesë të ligjeve të caktuara, të cilat janë të domosdoshme për një shoqëri demokratike”, ka thënë Konjufca.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, synon që vitin 2012 ta nisë me më shumë kreativitet dhe me ide të reja.

“Në vitin 2012, duke u bazuar edhe nga përvoja edhe më e hershme ne do të mundohemi që të sjellim kreativitet, ide të reja. Po ashtu, duke pas parasysh se do të kemi edhe prezencën e kryetarit Haradinaj, do të jemi shumë më të fuqishëm edhe në Parlamentin e Kosovës, por edhe si parti politike. Këtë e themi për shkak se ne mendojmë se Kosova ka nevojë për një energji më të madhe dhe për një shtytje më të madhe për shkak se po ndryshohet Kushtetuta, po ndryshohet Ligji zgjedhor, po bëhen disa ndryshime që ndoshta në të ardhmen do të sjellin freski edhe në skenën politike të Kosovës, por edhe me institucione më valide, më të qëndrueshme, të cilat punojnë për vendin”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.

Ndërkaq Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se në vitin 2012, PDK-ja do të vazhdojë të bëjë përpjekje për krijimin e një klime të përshtatshme bashkëpunimi dhe bashkëveprimi me opozitën, por nga kjo e fundit ka kërkuar të ketë vizion më të qartë.

“Ne urojmë që opozita në të ardhmen të ketë një vizion më të qartë, të ofrojë ide, të na ndihmojë që edhe ajo të jetë pjesë e sukseseve. Mbi të gjitha dëshirojmë që opozita në të ardhmen, shpresojmë dhe besojmë, do t’i vlerësojë të arriturat, sukseset, por i bëjmë thirrje të jetë aktive dhe t’i luftojë dukuritë negative të cilat manifestohen në shoqërinë kosovare”, ka thënë Grabovci.

Shef i deputetëve të PDK-së, uron që gjatë vitit 2012 fjalori i rrugës mos të gjejë vend dhe përkrahje në Kuvendin e Kosovës, por të ketë një debat të nivelit më të lartë, ku do të shpalosen idetë edhe të pozitës edhe të opozitës. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›