E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita e përçarë, lejon rehatinë e pozitës

Drejtues të Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare (PNDSH), në një konferencë për media adresuan një varg kritikash për partitë opozitare parlamentare, por kishin vetëm një për Qeverinë.

LDK-ja dhe Vetëvendosje u kritikuan se për shkak të mungesës së bashkërendimit të aktiviteteve të tyre, po i lënë hapësirë partive në koalicion që edhe më tutje të qeverisin në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj, kurse kritika e vetme në adresë të Qeverisë ishte për mungesë të njohjeve.

Kryetari i PNDSH-së, Bujar Abdullahu tha se përderisa dy partitë më të mëdha opozitare në vend, LDK dhe Vetëvendosje, nuk mund t’i bashkërendojnë veprimet dhe aktivitetet e tyre, rehatia e këtij koalicioni qeverisës do të vazhdojë dhe më tutje.

Sipas tij, kryeministri Thaçi, nuk do të mund ta gjente një opozitë të tillë që e lënë rehat edhe po të jepte para.

“Koalicioni aktual qeverisës sot në Kosovë nuk po mund t’i sjellë shumë të mira Kosovës edhe përkundër faktit që nuk është i përçarë. Ndërsa opozita në Kosovë nuk po mund të parandalojë shumë të këqija të këtij koalicioni qeverisës, edhe përkundër faktit që nuk është unike. Partitë opozitare në Kosovë në veçanti Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, nuk po mund të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe kjo gjithsesi shkon në dëm të qytetarit të Kosovës dhe në dëm të mirëqenies së qytetarit të Kosovës. Përçarjet janë të nivelit të tillë, sa që kalojnë në refuzim të plotë të njëra tjetrës”, ka thënë ai.

Abdullahu gjatë kësaj konference foli edhe për projekt- propozimin e PNDSH-së, të lansuar kohë më parë, e që ka të bëjë me konfederatën Shqipëri-Kosovë, duke pohuar se ndihen mirë që së fundi ideja e bashkimit kombëtar, ka filluar të ringjallet dhe po debatohet mjaftë në media të ndryshme.

Ai tha se si parti politike, besojnë fuqishëm se hapi i ardhshëm më i mirë i mundshëm është konfederata Shqipëri-Kosovë. Ky projekt i përpunuar i PNDSH-së për konfederatën Kosovë-Shqipëri, sipas tij, është zgjidhja më e mirë dhe më pragmatike e mundshme tani për tani dhe se do të jetë i pranueshëm në kuadër të vlerave euroatlantike.

“Po qese shqiptaret do të bashkohen me formë konfederale, do ta kemi një popullsi me numër më të madh , një territor më të madh, për kah resurset do të jemi me të pasur dhe kjo tregon se si të tillë ne do të mund të faktorizohemi”, është shprehur ai.

Kreu i PNDSH-së, Bujar Abdullahu pak kritika po ashtu kishte edhe për Qeverinë. Ai foli edhe për mungesën e njohjeve të reja për Kosovën, të cilat sipas tij janë rezultat i mungesës së kreativitetit diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Konsiderojmë se një pjesë të madhe të fajit të mungesës së njohjeve të reja e bart MPJ. Përkundër të gjithave, para se gjithash pjesa më e madhe e fajit qëndron në dinamiken e munguar të MPJ-së si dhe në plogështinë diplomatike që ajo kohën e fundit e ka”, theksoi ai.

Ndërsa projektin e presidentes së Kosovës për krijimin e Këshillit Kombëtar kundër korrupsion Abdullahu e quajti ofendim dhe notë ndëshkuese për Qeverinë e vendit dhe politikën e saj.

Ndërsa i pyetur për aksionet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, ai tha se gurët e kësaj lëvizje duken bukur në aspektin vizuel, mirëpo ata po shfrytëzohen nga kjo parti për poena politik, ndërsa në anën tjetër e relativizojnë mllefin dhe revoltën e qytetarëve./Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›