E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita e rrezikshme e Edi Ramës



Përfaqësuesit e BE-së duket se i kanë dhënë fund alibisë së radhës të shefit të opozitës, Edi Rama, një përpjekje djallëzore për të justifikuar humbjen e pritshme të partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Zoti Rama po përdor një diversion që synon bllokimin e procesit të pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit, gjë që do t’i jepte atij mundësinë e justifikimit të disfatës elektorale, njëherazi edhe dorëheqjes nga kreu i partisë, gjë kjo e sanksionuar në statutin e PS-së. Duket qartë që e gjithë vëmendja politike e z. Rama, njerëzve dhe mediave pranë tij, është përqendruar tek krijimi në opinionin publik të idesë së manipulimit të zgjedhjeve, një taktike kjo e vjetër e humbësve në politikën shqiptare. Jo më kot procesi i pajisjes me letërnjoftime është vënë në shënjestër të tyre, pasi kane qenë pikërisht manipulimet me listat e votuesve që i kanë dhënë partisë së tij dhe atij vetë disa herë fitore të pamerituara. Legalizimi i qytetarëve shqiptarë njëherazi edhe i listave të votuesve, është pa dyshim baza e një procesi të lirë e të ndershëm zgjedhor. Vetë procesi i garantimit të zgjedhjeve brenda standardeve të BE-së përbën një sfidë jo vetëm për qeverinë e mazhoracën, por për të gjithë shqiptarët. Pas anëtarësimit në NATO, integrimi në BE përbën sfidën tjetër të madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përfaqësuesit e BE-së kanë bërë të qartë se statusi i kandidatit, që qeveria po këmbëngul ta arrij sa më shpejt të jetë e mundur, kushtëzohet nga realizimi i standardeve të zgjedhjeve dhe zgjidhjes së problemit të pronave, si dy parakushte thelbësore, ndaj të cilave nuk mund të pretendohet tolerancë.

Mirëpo arritja e standardit të zgjedhjeve kërkon pa dyshim angazhimin serioz dhe të ndershëm të të gjitha palëve pjesëmarrëse në të. Nëse formalisht reforma zgjedhore ka pasur angazhimin e të dyja palëve, në praktikë nuk duket kështu. Thirrja e z. Rama për të shpërndarë letërnjoftime falas nuk synon përshpejtimin e procesit, siç pretendon ai, por “legjitimimin” e bllokimit apo bojkotimit të tij, nga militantët e tij, me justifikimin se nuk kanë mundësi financiare për të paguar faturën e kartës së identitetit. Një deklaratë apo propagandë si kjo synon hapur destabilizimin dhe degradimin e procesit të pajisjes me letërnjoftime. Por me përpjekjet për dështimin e këtij procesi, Edi Rama synon edhe më tepër se alibia e humbjes së zgjedhjeve. Ajo që nuk ka asnjë interes të ndalohet e ca më tepër të dështojë procesi i shpërndarjes së letërnjoftimeve, është pa dyshim qeveria dhe mazhoranca. Realizimi i këtij procesi përbën midis të tjerash një sukses të qeverisjes “Berisha”, njëherazi edhe një kartë të fortë elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Procesi i legalizimit të qytetarëve (letërnjoftimet) janë një arritje e dukshme e qeverisë në projektin e saj të luftës kundër informalitetit, pjesë thelbësore e angazhimit të saj për arritjen e standardeve të BE-së. Nuk mund të pretendosh të bëhesh pjesë e strukturave euroatlantike pa realizuar regjistrimin dhe legalizimin e popullsisë, standardi bazë i një shteti normal. Në këtë situate, destabilizimi i këtij procesi çon automatikisht në dështimin e përpjekjeve për integrim të vendit në BE. Nuk është hera e parë që për arsye meskine të pushtetit personal apo partiak, e majta shqiptare ka kërcënuar dhe rrezikuar interesa të nivelit kombëtar, siç është integrimi në BE. Kujtojmë se në vitin 1995 përfaqësuesit e PS-së votuan kundër anëtarësimit të vendit në KE, ndërkohë që vetë Rama organizoi një protestë pikërisht në ditën që Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO. Fakti që Rama është i vetmi politikan që nuk ka u bërë thirrje publike qytetarëve për pajisje me letërnjoftime flet vet për raportin e tij me këtë proces. Për ta përmbledhur në pak fjalë të gjithë argumentin, konkludojmë se përpjekjet e z. Rama për destabilizimin e procesit të kartave të identitetit janë pjesë e strategjisë politike të tij në një moment delikat, që kërcënon jo vetëm dëshirën e tij për pushtet, por edhe vetë karrierën e tij politike. Në këtë situatë, ai është gati të sfidojë jo vetëm procesin, por edhe raportet me ndërkombëtarët të tij dhe partisë së tij , gjë që u shpreh hapur dy ditë më parë me reagimin e ashpër të vartësve të tij ndaj deklaratave të delegacionit të Parlamentit Evropian. Mund të biem dakord që z. Rama i duhet një alibi për humbjen e zgjedhjeve, pasi në pamundësi justifikimi, atij i duhej të linte vendin e kryetarit të PS-së, gjë të cilën nuk besoj se gjendet shqiptar as ta mendojë. Mirëpo stadi në të cilin ndodhet vendi, shteti dhe shoqëria shqiptare, i ka ngushtuar shumë hapësirat për zhvillime politike destabilizuese, mënyra e mjete këto tradicionale të së majtës shqiptare për të justifikuar dështimet elektorale (si p.sh revolucioni i 1997-ës). Si përfundim, përplasja në fytyrë si përgjigje që eurodeputetët u dhanë përpjekjeve të z. Rama për destabilizimin e procesit të letërnjoftimeve, rrjedhimisht edhe atij të zgjedhjeve të qershorit, ishte deklarimi i qëndrimit të qartë të BE-së se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për prishjen e standardeve të procesit të integrimit, në mënyrë të veçantë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo duket se i prish shumë punë Edi Ramës, pasi çdo alibi e tij për të justifikuar humbjen, pa akordin me komunitetit ndërkombëtar, në mënyre të veçantë të BE-së, do të ishte e padobishme për opinionin publik, por edhe një armë në duart e kundërshtarëve të tij të majtë, brenda dhe jashtë PS-së numri i te cilëve pritet te rritet pas shpalljes së listës se kandidatëve për deputet, që mezi presin që ai të humbasë zgjedhjet, si mundësia e vetme për ta larguar nga kreu sajë . Alibia e kartave të identitetit duket se është djegur, por kjo nuk do të thotë që z. Rama ka hequr dorë destabilizimi i procesit apo gjetja e një alibie tjetër. Duket qartë se sfida e tij nuk është fitorja e zgjedhjeve, por ruajtja e kreut dhe kontrollit në PS, për realizimin e së cilës, sajimi i një incidenti që mund të prishte imazhin e zgjedhjeve apo gjetja e një alibie të besueshme për të justifikuar humbjen, duket se është një çështje për jetë a vdekje. Kjo mjafton për ta konsideruar opozitën dhe krejt politikën e tij potencialisht të rrezikshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›