E Diel, 1 Nëntor 2026

E vërteta morale e të përndjekurve politikë, përballë mllefit dhe shpifjeve të mbrojtësve të diktaturës

Nga Besim NDREGJONI
Shqipëria mund të jetë vend i vetëm ish- komunist, i cili nuk ka marrë masa serioze për të pastruar jetën e politikës nga mbeturinat e sistemit komunist, të cilat më shumë se kurrë, sot janë më të rrezikshme. Këto ditë në disa televizione, 2 politikanë të së majtës, Pandeli Majko dhe historiani i diktaturës komuniste, Paskal Milo, nostalgjikë dhe militantë e mbrojtës të komunizmit, duke shfrytëzuar hapësirat e mediave që fatkeqësisht u japin çdo deklaratë, pa i vrarë ndërgjegjja me një servilizëm të pështirë pa asnjë moral në interes të shoqërisë u hodhën me urrejtje ndaj shqiptarëve që u vranë për të drejtat dhe liritë e njeriut që u vranë pabesisht nga ata shqiptarë që mbronin idealin e krimit komunist. Në unison me to u bashkuan dhe bashkëshortja e diktatorit, Zonja e zezë, duke përdorur mllefin dhe urrejtjen me shpifje ndaj së vërtetës historike, duke baltosur gjakun e derdhur nga ata shqiptarë që ishin kundër diktaturës komuniste, dhe faji i tyre ishte se ata dhanë dhe jetën që të denonconin diktaturën dhe të mbronin të drejtat dhe liritë e tyre...
Si aktivist i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe si Sekretar i Përgjithshëm i  Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, ndoqa me shumë vëmendje se si do të reagonte politika dhe institucionet e shoqërisë civile, e analistët për këto deklarata sa antikombëtare, aq fyese e përçmuese për një shoqëri demokratike. Isha i mendimit dhe i bindur se analistet jo vetëm do të mbushnin faqet e gazetave, por do të analizonin me paanshmëri, dhe do të protestonin me forcën e fjalës, kundër daljeve të këtyre politikanëve që treguan urrejtjen e tyre ndaj të përndjekurve politikë dhe mbrojtën luftën civile që zhvilloi diktatura komuniste në Shqipëri, që këtij populli i shkaktoi tragjedi njerëzore që dhe sot pas një periudhe 18- vjeçare pluralizëm, mijëra familje shqiptare po i vuajnë. Mbi 4000 familje të fisnikëve shqiptarë, kërkojnë e kërkojnë me vite, eshtrat e prindërve, motrave e vëllezërve, që Kjo dhe vetëm kjo ua shkaktoi shqiptareve me ideologjinë e krimit, tragjedinë.
I kujtojmë historianit të komunizmit, Paskal Milo, se e vërteta e pushkatimit të fisnikëve shqiptarë që u vranë nga sadistët fondamentalë ortodoksë komunistë, nuk u vërtetua asnjëherë se ata ishin bashkëpunëtorë të fashizmit, nga asnjë institucion akademik historik kombëtar dhe ndërkombëtar. Ata nuk ishin të tillë, kjo shpifje është e komunistëve shqiptarë, e Milos dhe asnjëherë e institucioneve të besueshme historike.
I kujtojmë Milos, se mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore u krijua një gjykatë ndërkombëtare për të dënuar bashkëpunëtorët e fashizmit dhe të nazizmit, dhe fatkeqësisht për historianin dhe mbrojtësit e diktaturës, dhe fatmirësisht për kombin shqiptar nuk është dënuar asnjë shqiptar si bashkëpunëtor i fashizmit e nazizmit. Në vitet '50- të, tre shqiptarë, ish- Kryeministri Fiqiri Dine, Komandanti i Xhandarmërisë, Hysni Dema dhe Komandanti i Ushtrisë Kombëtare, Prengë Previzi, që kishin qenë në këto poste në vitet '44, u akuzuan nga qeveria e diktatorit Hoxha dhe dolën në gjyq në Athinë dhe u gjykuan nga gjyqtarë britanikë, pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare të Dënimit për Bashkëpunëtorë të Nazizmit. Dhe kur iu bë pyetja këtyre, se "pse keni bashkëpunuar me nazizmin, përgjigja ishte se "ne ishim në shërbim të shtetit tonë, të pushtuar nga nazizmi dhe u shërbenim qytetarëve të vendit tonë". Gjykata i shpalli të pafajshëm duke ju kërkuar ndjesë për akuzën. Kjo është e vërteta historike e bashkëpunëtorëve të nazizmit, zotërinj të shpifjeve dhe mllefit ndaj historisë dhe të së vërtetës. Kjo tregon më së miri se ju i përkisni historisë së shpifjeve dhe jo të së vërtetës. E vërteta, juve ju trondit, prandaj shpifni.  
U kujtojmë politikanëve përçmues, se plehra të historisë janë mbrojtësit e diktaturës komuniste, dhe jo ata që ndërtuan shtetin shqiptar dhe që për kombin dhe demokracinë nuk kursyen as jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.
Të përndjekurit politikë shqiptarë, pjesë e kësaj shoqërie, me një moral shumë të çmuar, në këtë periudhë tranzicioni tregoi vlera të larta morale, duke mos mbartur, mllefin dhe urrejtjen për vuajtjet që i kishte shkaktuar diktatura. Manifestoi dhe promovoi dashuri dhe paqe, megjithëse vinte me një bilanc tragjik njerëzor. Fakti që të gjithë të përndjekurit politikë, motrat dhe vëllezërit tona, nuk u hodhën me urrejtje e marrëzi në fushën e hakmarrjes tregoi pjekuri dhe moral. Kjo, nuk do të thotë që ne të heshtim përpara shpifjeve të paskrupullta të historianëve dështakë të krimit komunist. Shpifjet dhe mllefin tuaj, historia e ka hedhur dhe po e hedh çdo ditë në koshin e plehrave. Ky manifestim i fuqishëm moral nga ana e ish- të përndjekurve politikë, ka krijuar një superioritet moral e politik që nuk do të shuhet kurrë dhe do të çmohet kurdoherë. Fakti që ne sot përbuzemi nga opurtunistët, historianët e klasës së dështuar politike në Shqipëri" nuk e ndryshon balancën. Prandaj të drejtat tona marrin një karakter imponues dhe fitojnë një urgjencë që duhet të prekë çdo ndërgjegje të pastër shqiptare. Shqipëria ka nevojë për një rindërtim moral dhe institucional më shumë se kurrë. Dhe jo për përçmim dhe urrejtje. Ky është mesazhi i mijëra familjeve fisnike shqiptare, mesazhi i paqes dhe jo e urrejtjes. Turp për ata që shpifin dhe urrejnë, paqja po fiton mbi urrejtjen.

* Sekretari i përgjithshëm i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve politikë të Shqipërisë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›