Opozita fiton zgjedhjet në Irlandë
Opozita konservatore duket se është fituese e zgjedhjeve Irlandë. Partia konservatore, Fine Gael, e kryesuar nga Enda Kenny duket të ketë fituar me 35 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kjo sipas prognozave të para pas përfundimit të votimit.
Krye-kandidati i Fine Gael, Enda Kenny, sipas parashikimeve do të jetë kryeministër i ri i vendit. Ndërsa Partia Socialdemokrate Laburiste, e parë si partner i mundshëm në koalicion, ka fituar 20 për qind të votave. Partia Fianna Fail, e kryeministrit në largim, Brian Cowen, ka pësuar disfatë të thellë, pasi ka tubuar vetëm 15 për qind të votave.
Zgjedhjet patën një pjesëmarrje të lartë prej rreth 70 për qind, me të cilën nuk kishte llogaritur askush.
Gati katër javë pas shpërbërjes së qeverisë së vjetër të kryeministrit Brian Cowen, nga pasojat e krizës së bankave dhe financiare, rreth tre milionë njerëz me të drejtë vote u thirrën të votonin për zgjedhjen e 166 deputetëve të ri.
Kryeministri i deritanishëm Cowen, pas katastrofës bankare dhe pranimit të një pakete miliardësh të ndihmave nga BE dhe FMN, shpërndau parlamentin në fillim të shkurtit, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja.