E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA i vë sanksione Libisë

Nga Express më 26 shkurt 2011 në ora 13:18

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për t’i vënë sanksione të njëanshme Libisë, duke thënë se vazhdimi i dhunës dhe trazirat në vend “përbëjnë një rrezik të jashtëzakonshëm” për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Amerikës.

Sanksionet parashikojnë ngrirjen e të gjitha pasurive të udhëheqësit libian, Moamer Gaddafi, të tre djemve, një vajze dhe anëtarëve të administratës së tij.

Presidenti Obama tha se sanksionet kanë si synim qeverinë e Gaddafit, ndërkohë që mbrojnë pasuritë e popullit libian.

Ndërkaq, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, për të dënuar shkeljet e këtyre të drejtave nga qeveria libiane kundër popullit të vet.

Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara kanë mbyllur ambasadën e tyre në Libi dhe po vënë në zbatim sanksionet për të ushtruar trysni ndaj qeverisë për të ndaluar dhunën kundër protestuesve anti-qeveritarë.

Edhe kreu i OKB-së, Ban Ki-Moon, u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara të veprojnë sa më shpejt për të ndaluar gjakderdhjen në Libi.

“Situata mbetet jashtëzakonisht e rëndë. Sot kemi marrë njoftime të tjera të përleshjeve të dhunshme, me numër të madh të viktimave”, ka thënë Ban.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›