E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita gati opsionet ne rast deshtimi te kompromisit

Aksioni Protestat dhe artikulimi për zgjedhjet e parakohshme, tezat kryesore

Një kërkesë e reduktuar, por thelbësore për hetimin parlamentar të Zgjedhjeve të 28 qershorit, një projektrezolutë për çështjet kryesore e pamiratuar në Kuvend, si dhe një angazhim për protesta mbeten tri shtyllat e aksionit politik të Opozitës së Bashkuar. Parë në këtë këndvështrim, Partia Socialiste disponon për vitin 2011 dhe për fushatën paraelektorale arsenalin e mjaftueshëm të arsyeve për të propaganduar se vijimi i krizës politike nuk është përgjegjësi e saj, por e Kryeministrit Sali Berisha që e ka shfrytëzuar atë për të fituar kohë. Një ballafaqim force, i shoqëruar edhe me akuza shumë të rënda për korrupsion që duket se ka provokuar konsumin maksimal të të dyja palëve që për këtë arsye e bën përllogaritjen e rezultateve elektorale shumë të vështirë. Aq më shumë fiton vlerë kjo po të merret parasysh se entuziazmi i liberalizimit të vizave nuk rezultoi ai që pritej, ç’ka e sjell selinë rozë në një pozitë komode për të garuar pa peshën e sukseseve të “sekuestruara” nga shumica në pushtet. I paqartësuar mbetet gjithsesi diskutimi gati konstant i përfaqësuesve opozitarë për kalimin e imponuar të vendit në zgjedhje të parakohshme, për të cilat askush nuk ka bërë publike mekanizmin e realizimit të tyre. Në këtë drejtim edhe dje, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lënë të kuptohet një sens optimizmi që mbetet i pazbardhur në origjinën e arsyeve të veta. “Së bashku mund ta bëjmë të ardhmen që të jetë më e mirë, në një ditë më të afërt dhe jo thjesht si një kohë, e cila domosdoshmërisht do të jetë më e mirë, por që s’ka dyshim që nuk duhet të jetë e largët”, është shprehur ai menjëherë pas vizitës në Kishën Ortodokse Autoqefale. Kjo pritmëri ndryshe nga ana e opozitës dhe besimi i saj për ndryshime të mirëfillta politike në Shqipëri, duket të jenë paradhënia e zgjedhjeve lokale të vitit 2011, të cilat me sfilitjen e opinionit nga konsumi i një kauze të pazgjidhur dhe ndoshta pa rëndësinë e dikurshme, diktojnë stimuj të rinj mobilizimi. Nisur nga përvoja e deritanishme e ballafaqimit mes palëve, është e pritshme që opsioni më radikal i opozitës është përdorimi politik i levave të pushtetit vendor të cilin ajo e kontrollon në qendrat jetike të vendit. Sesi dhe në cilën mënyrë do të realizohet një gjë e tillë, kjo mund të kuptohet fare mirë nisur nga precedenti i vitit 2007, por edhe nga marrja me një forcë të re e të gjithë problematikës që sot pushteti qendror ka imponuar mbi atë lokal. Nga ana tjetër, një shpresë e pathënë publikisht është “thyerja” e së djathtës, e cila pavarësisht se ende nuk po del në sipërfaqe, sërish jep shenjat e veta brenda atyre xhepave politikë që deri më tani kanë mbetur në heshtje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›