E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaportat biometrike, përbëjnë tashmë një kusht të plotësuar për liberalizimin e vizave

Sekretarja franceze për Tregtinë e Jashtme, Idrac vlerëson procesin e pajisjes së qytetarëve me dokumentet e reja


Ministri i Brendshëm Lulzim Basha shoqëroi sot Sekretaren e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës Znj. Anne-Marie Idrac në një vizitë në Qendrën e Personalizimit të të Dhënave të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike. Pasi u njoh me procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike dhe vizitoi ambjentet e qendrës së kompanisë “Aleat”, Sekretarja Idrac theksoi se cilësia e lartë e pasaportave biometrike shqiptare përbën tashmë një kusht të plotësuar për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Sekretarja e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës Znj. Anne-Marie Idrac deklaroi se ndihej krenare që një kompani franceze po jep një kontribut të vyer dhe po kryen një shërbim të mirë për Shqipërinë. Ministri Basha u shpreh gjatë vizitës se në këtë qendër demonstrohet një sistem i avancuar teknologjik, shumë i sigurtë, dhe një nga sistemet pionerë në rajon dhe Europë përsa i përket prodhimit të pasaportave biometrike. Basha deklaroi se në këtë proces Shqipëria shënon ritmet më të larta në raport jo vetëm me vendet e Ballkanit, por me të gjithë vendet e zonës Schengen, çka përbën dhe një nga garancitë më të mëdha për përfundimin me sukses në një kohë sa më të shkurtër të procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Në përgjigje të interesimit të medias lidhur me misionin e ekspertëve të Komisionit Europian që ndodhet aktualisht gjatë kësaj jave në vendin tonë, ministri i Brendshëm Lulzim Basha shprehu bindjen se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat për heqjen e vizave dhe tashmë pritet vetëm verifikimi dhe vendimmarrja politike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›