Wilshire: Rikthimi i opozitës në parlament, zgjidhja e situatës

Parlamentarët e Këshillit të Evropës deklarojnë se rikthimi i opozitës në Kuvend mbetet kryefjala e qëndrimit të tyre lidhur me situatën politike në Shqipëri. Të dërguarit evropianë, janë optimistë për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri dhe thonë se hapi i parë duhet të jetë kthimi i parlamentit në funksion të plotë.
Bashkëraporteri për Shqipërinë, deputeti konservator britanik David Wilshire tha në një intervistë për BBC-në se ai shpreson në kthimin e parlamentit në funksion të plotë, duke hedhur hapin e parë, që është rikthimi i opozitës së Edi Ramës.
“Ne presim hapin e parë që opozita të kthehet në parlament. Kam një optimizëm të arsyeshëm se ne do t’i shohim ata që të ndërmarrin hapin e parë, apo ndoshta dy-tre hapat e parë, drejt një zgjidhjeje të plotë, por nuk pres një zgjidhje të plotë që nesër në mëngjes.
Ne u kemi thënë atyre të njëjtën gjë. Në fillim ne i kemi dëgjuar ata, kemi dëgjuar shqetësimet e tyre dhe vështirësitë e tyre. Ne i thamë të gjithëve, në të gjitha takimet, se arsyeja pse ne jemi këtu është që t’i ndihmojmë ata që të kthehen në një parlament me funksionim të plotë”, u shpreh Wilshare.