Opozita i kundërpërgjigjet Thaçit: I fyeri të fyen
PRISHTINE- Tri subjektet në opozitë i janë kundërpërgjigjur kryeministrit Hashim Thaçi, madje me gjuhë më të ashpër sesa kishte përdorur ai ndaj tyre, një ditë më parë, shkruan sot Koha Ditore. Për LDK-në, Thaçi përbën rrezik permanent për vendin, për Vetëvendosjen i hetuar për krim të organizuar nga Bashkimi Evropian e për AAK-në i instaluar në postin e kryeministrit nga Carla Del Ponte.
Thaçi, në intervistën për Kohën Ditore, duke dhënë vlerësime për tri subjektet opozitare dhe për punën e tyre, LDK-në e kishte përshkruar dështake, lëvizjen Vetëvendosje rrugaçe, ndërsa AAK-në humbëse.
Por, tri subjektet opozitare nuk ia kanë lënë falë Thaçit. Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, të shtunën ka thënë se te kryeministri Thaçi janë të gërshetuara shumë karakteristika negative.
Sipas LDK-së, ai është rrezik permanent për të ardhmen e vendit, sepse koncepti i tij për demokracinë dhe institucionet është i mentalitetit diktatorial dhe jo që bazohet në vullnetin e qytetarëve ku vota do të ishte si pikë fillestare për institucione të lira dhe demokratike, ka thënë Gashi.
Në Vetëvendosje kanë thënë që kualifikimet e Thaçit për këtë subjekt janë kuptuar brenda skemës i fyeri të fyen. Sekretari organizativ i lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ia ka përmendur Thaçit raportin e Dick Martyt.
Vetë Thaçi është nën hetime nga Bashkimi Evropian dhe edhe një pjesë e madhe e Qeverisë së kaluar, por edhe të kësaj aktuales janë nën hetime nga EULEX-i dhe institucione të tjera për korrupsion, ka thënë ai.
Në AAK kanë thënë se Thaçi duhet tia dijë për nder ish-kyeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Carla Del Ponte. Sipas sekretarit të përgjithshëm të AAK-së, Burim Ramadani, ajo i ka hapur rrugën Thaçit që të ngjitet në karrigen e kryeministrit pas shkuarjes së Ramush Haradinajt në Hagë.