E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit, Rama: Komisioni nuk gaboi

TIRANË Në komentin e tij të radhës, kryetari i opozitës i kushtoi vëmendje edhe përzgjedhjes së kandidaturave për Avokatin e Popullit. “Sipas meje, që e ndoqa nga fillimi në fund dëgjesën publike duke çmuar çdonjë prej kandidatëve, Komisioni Përzgjedhës nuk gaboi. Vuri gishtin tek kandidati që u paraqit pak më mirë se të tjerët, pjesa më e madhe e të cilëve ishin vërtet shumë dinjitozë në CV-të, platformat, prezantimet e tyre publike. Më pas dolën bishtat. E siç ndodh rëndom, ngriti krye zakoni i vjetër i zbulimit të komplotit të radhës, po s'do merrem me këtë se është kohë e humbur. Të ishte për të vënë një kandidat me dorë, do të ishte një punë fort më e lehtë dhe pikë. Koha do të tregojë se sa do të përputhet paraqitja mbresëlënëse e Igli Totozanit me aktivitetin publik të Avokatit të ri të Popullit. Çka do të mbetet është vlera e shtuar publike që atij institucioni i erdhi nga ky proces dhe vlera e vetë procesit si një shembull konkret i vizionit tonë për një administrim publik europian”, shkruan Rama. Kryetari i opozitës thekson se programi i tij për një rilindje shqiptare flet për ndarjen e shtetit nga pushteti, dhe procesi i përzgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit, sipas tij, e ilustron atë çka thuhet në program.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›