Milo, Gjinushi e Koçi: Gati për lëvizjen nëse nuk ndryshon sistemi
Partitë e vogla të majta po shikojnë mundësinë e organizimit më vete për të gjetur një zgjidhje për ndryshimin e sistemit zgjedhor
TIRANË Përkundrejt gatishmërisë së shprehur nga kryetari i PS-së, Edi Rama, se do të jetë i gatshëm për të dëgjuar dhe për t’u dakordësuar me të gjitha partitë e vogla të interesuara për ndryshimin e sistemit zgjedhor, partitë e vogla të majta po shikojnë mundësinë e organizimit më vete për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
“Partia Socialdemokrate prej kohësh ka qenë për bashkime brenda së majtës për një koordinim sa më të mirë të veprimeve të partive opozitare, të majta dhe për institucionalizimin e këtyre bashkimeve. Jemi në kontakt dhe kemi punuar vazhdimisht që ky bashkëpunim të jetë sa më i mirë", - tha dje kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi.
Ndërsa kreu i PSV91, Petro Koçi, i cili kohët e fundit ka organizuar disa tryeza për
një lëvizje brenda së majtës, deklaroi dje se nisma më e re synon bashkërendimin e të majtës me qëllim rritjen e efektivitetit të saj në politikë. "Është një projekt për të bashkuar veprimin organizativ, sidomos elektoral jo vetëm të tri partive tona PSV, PSD dhe PDS, por edhe të ndonjë partie tjetër, në mënyrë që koalicioni ku ne bëjmë pjesë që drejtohet nga PS-ja, të jetë më efektiv në tregun politik”, - tha Koçi. Edhe aleati tjetër i së majtës, kryetari i PDS-së, Paskal Milo u shpreh se është një ide se si mund që në të ardhmen të vegjlit të maksimizojnë votën në zgjedhjet e ardhshme. Ndryshe nga Gjinushi dhe Koçi që nuk shprehen qartë se cili do të jetë roli i PS-së në këtë nismë, Milo shprehet se lëvizja e re do të funksionojë vetëm në rast se PS-ja nuk do të marrë parasysh kërkesën e tyre. "Nëse nuk do të ketë ndryshime të Kodit Zgjedhor, ne do të jemi të prirur të ndërtojmë një formacion të përbashkët elektoral veç nga PS. Por nëse do të bëhet elementi i korrektimit kombëtar dhe do të ketë garanci për numërimin e votave, ne do të shkojmë në një koalicion të përbashkët me PS", - tha prerë Milo. Pak ditë më parë, Petro Koçi, Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi zhvilluan një takim me qëllim realizimin e një projekti të ri politik. “Koalicioni i drejtuar nga PS-ja ka nevojë për aleatë më efektivë në tregun politik dhe bashkimi i PSD, PDS dhe PSV e partive të tjera të gatshme për t’u bashkuar do të sjellë një realitet të ri në strategjinë dhe taktikat politike të së majtës për të fituar zgjedhjet e ardhshme”, - thuhej në njoftimin për shtyp të PSV91, ku me sa duket pritet që të konkretizohet sa kohë që dy partitë e mëdha nuk kanë përfshirë në axhendën e tyre të punës asnjë mundësi për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Edhe në draft-opinionin e fundit të përgatitur nga ekspertët e Komisionit të Venecias dhe ODHIR nuk përfshihej asnjë pikë që sugjeronte ndryshimin e sistemit.