E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Lëvizja pa viza, si i shmangëm rastet problematike

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani e ka cilësuar historinë 1-vjeçare të lëvizjes së lirë si një sukses për shqiptarët. Në një intervistë për “MAPO”-n, ai pohon masat e marra për uljen e kërkesave për azil.

Zoti Nishani, si do ta vlerësonit ecurinë njëvjeçare të vendit tonë në marrëveshjen ‘Shengen’ ?

Unë besoj që qytetarët shqiptarë janë ndër qytetarët e rregullt në zbatimin e kërkesave dhe të gjitha kritereve që ka pasur procesi i lëvizjes pa viza. Ju e dini dhe ne kemi qenë mjaft transparentë edhe në bërjen publike të rasteve problematike që kemi pasur, por falë edhe analizës së menjëhershme të arsyeve dhe gjetjes së tyre për rritje të fluksit të kërkesave për azil, të shoqëruara këto edhe me masa të menjëhershme, qoftë në pjesën e penalizimit por edhe të sensibilizimit të opinionit publik, ka pasur menjëherë një reagim pozitiv. Si konkluzion unë mund të them që absolutisht historia e lëvizjes së lirë është një histori suksesi, pa dyshim për shqiptarët në radhë të parë. Natyrisht, çështjet mbeten në vijim për t’u ndjekur dhe për t’u monitoruar. Shqipëria tashmë është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë mekanizmat që vetë Komisioni Europian dhe agjencitë e tjera të Bashkimit Europian kanë ndërtuar për monitorimin dhe vlerësimin e situatës. Unë besoj që është një proces, i cili do të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Cila është puna që po bën qeveria shqiptare për kontrollin e integruar të vijës së gjelbër të kufirit ?

Unë mund t’ju them që janë bërë një sërë investimesh, të cilat në radhë të parë kanë të bëjnë me shtrirjen e një sistemi të monitorimit të gjithë vijës së gjelbër. Mund t’ju them që ka patrullime të përbashkëta me policitë kufitare dhe migracionit të vendeve fqinje pikërisht të vijës ndërkufitare. Një vëmendje të veçantë në këtë drejtim po i kushtojmë goditjes së trafikut të lëndëve narkotike, qenieve njerëzore etj. Për sa i takon trafikut të lëndëve narkotike, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës ka një rritje të sasisë së marijuanës së konfiskuar brenda territorit shqiptar, krahasuar me vitin e kaluar, në rreth 200 kg. Padyshim mbetet ende një sfidë shumë e madhe pjesa e trafikut të lëndëve narkotike, e cila kryesisht tentohet nga kufiri i gjelbër. Pikërisht pak ditë më parë edhe me nismën e qeverisë së SHBA-së, forcat e kufirit u forcuan me disa mjete të specializuara për kontrollin jo vetëm gjatë ditës por edhe natën, me automjete të veçanta dhe sisteme kamerash të veçanta, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me identifikimin por edhe me transferimin e informacionit që bëjnë në terren.

Intervistoi : Bledar Shehu

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›