Topalli: Venecia konfirmoi praktikën shqiptare të numërimit të votave
Kryetarja e Kuvendit tha dje se dokumenti i Komisionit të Venecias do të shërbejë si plan pune në zbatimin e rekomandimeve për zgjedhjet
TIRANË Një ditë pas miratimit të draft-opinionit nga Komisioni i Venecias, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pranishme në sesionin e radhës së këtij Komisioni,
theksoi se ky opinion përbën një dokument ligjor profesional dhe shërben si plan pune në zbatimin e rekomandimeve për zgjedhjet. Në mënyrë të veçantë, ajo vlerësoi përqasjen e bërë në këtë opinion lidhur me votat e hedhura jo në kutitë e duhura. “Konkluzioni i Komisionit të Venecias se e drejta e votës, si e drejtë e njeriut, mbizotëron dhe se legjislacioni duhet të përmbajë procedura për përfshirjen në rezultat të votës së hedhur jo në kutinë e duhur, përbën një konfirmim të praktikës shqiptare të numërimit të këtyre votave. Institucionet në Shqipëri nuk gabuan kur vendosën t’i përfshijnë këto vota në rezultat dhe rasti i Shqipërisë meriton të shënohet si një rast pozitiv i respektimit të vullnetit të zgjedhësve”, - u shpreh Topalli. Në këtë sesion morën pjesë edhe dy bashkëkryetarët e komisionit për Reformën Zgjedhore, Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri, si dhe anëtari i përhershëm në këtë komision, Viktor Gumi. Në draft-opinionin e miratuar dy ditë më parë, një hapësirë e konsiderueshme i është kushtuar çështjes së votave të gabuara. “Nuk është e pazakontë, - thuhet në këtë opinion, - që fletët e votimit janë hedhur gabimisht në kutinë e votimit të gabuar brenda së njëjtës qendër votimi. Kodi dështon, - theksohet në këtë opinion, - në adresimin e problemit të numërimit të votave, të cilat ishin vendosur gabimisht nga votuesit në kutitë e gabuara. As nuk saktëson gjithashtu çështjen e KQZ-së mbi udhëzimet lidhur me këtë qëllim. Vendimi i KQZ-së, - thuhet në këtë opinion, - çoi në një polarizim edhe më akut të funksionimit të KQZ-së, si dhe në ankesat që shoqëruan gjithë procesin”. Pavarësisht kësaj, Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-it rekomandojnë që “Kodi, shprehimisht të adresojë problemin e votave të hedhura në kutinë e gabuar”. Në këtë draft-opinion, me kërkesën edhe të përfaqësisë shqiptare u theksua domosdoshmëria e rikompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Bashkëkryetari socialist në komisionin për Reformën, Damian Gjiknuri u shpreh dje se referuar edhe opinionit te Komisionit të Venecias, në të ardhmen do të kemi një KQZ të re. “Patjetër që do të kemi një KQZ të re, qoftë në anëtarë dhe mënyrën e zgjedhjes së tyre, të paktën edhe ky rekomandim, edhe rekomandimi i OSBE/ODIHR-it janë të fokusuar në këtë pikë, pra rishikimi i përbërjes së KQZ-së. Për votat e hedhura gabim konfirmohet qartë se u ndryshuan rregullat e lojës”, - tha Gjiknuri.