E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: Ja shkeljet e ligjit për regjistrimit

Ligji për Censusin, apo siç njihet ndryshe ligji për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, ka lënë të pakënaqur minoritetin grek në vendin tonë. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që mbron interesat e këtij minoriteti, ka denoncuar dje amendimet që iu bënë këtij ligji së fundmi në sallën e Parlamentit, si në kundërshtim me standardet europiane të regjistrimeve të tilla. Pika kyçe që ka bërë të pakënaqur këtë forcë politike është pikërisht sanksionimi në ligj i detyrimit për të bërë verifikimin e të dhënave dhe sanksionet financiare për të gjithë ata që mashtrojnë në vetëdeklarimin e tyre.

Dule

Gati shtatë javë nga fillimi i regjistrimit të ri të popullsisë edhe mbi baza etnike dhe fetare, PBDN nëpërmjet kryetarit të saj ka atakuar hapur amendimet që iu bënë ligjit mbi bazën e të cilit do të bëhen këto ndryshime me propozim të PDIU. Duke iu referuar pikërisht dy amendimeve të propozuara nga PDIU dhe të përfshira në ligj, pra atij që përcakton detyrimin e verifikimit të të dhënave dhe atij që parashikon gjobitjen e atyre që japin të dhëna të rreme, Dule ka theksuar se në këtë mënyrë rrëzohet në kuptimin e plotë e drejta e vetëdeklarimit të të dhënave, pasi ato duhet të verifikohen, dhe së dyti eliminohet mundësia e ruajtjes së konfidencialitetit të personave që japin këto të dhëna. “Ne konstatojmë me keqardhje se me amendimet e fundit në ligjin për censusin, abrogohet e drejta thelbësore e vetëdeklarimit, penalizohet ajo dhe në të njëjtën kohë shkelet parimi i konfidencialitetit të të dhënave në census. Për rrjedhojë një regjistrim i tillë nuk mund të jetë i standardeve europiane”, - tha Dule në fjalën e tij. Për të mbetur te penalitetet ai ka sqaruar se nëpërmjet tyre bëhet e mundur që të zbulohet identiteti dhe të dhënat që ka dhënë një person i caktuar, çka sipas tij dekonspiron të dhënat. “Nga presionet e deputetëve të caktuar në Parlament, imponohen penalitete. Penalitetet kanë emër dhe mbiemër. Ai që penalizohet me gjobë është i identifikuar, dhe rrjedhimisht, i identifikuari si i penalizuar, i dekonspirohen edhe të dhënat e deklaruara” - tha Dule.

Afatet

Nga ana tjetër Dule ka bërë të ditur se ndërkohë që dita e nisjes së këtij procesi po afron, organizmat shtetërore që do merren me realizimin e tij nuk kanë nisur ende nga puna, çka e bën sipas tij gati të pamundur realizimin e censusit sipas standardeve të kërkuara. Sipas tij ligji parashikon që tetë javë përpara regjistrimit duhet të nisë fushata informuese dhe diçka e tillë nuk ka ndodhur ende. “Duhet të ishin funksionale komisionet përgjegjëse për mbajtjen e censusit e në krye të tyre janë kryetarët e qarqeve. Te ne ende nuk janë konstituuar këshillat e qarqeve dhe nuk janë zgjedhur kryetarët e qarqeve”, - shtoi Dule. Ndaj Dule ka bërë të ditur se juristët e PBDNJ-së do të depozitojnë në fillim të shtatorit amendimet e ligjit, pasi, siç theksoi ai, në këtë formë nuk mund të zbatohet, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë dhe përshkallëzimin e qëndrimit. “Është një proces krejtësisht i zbuluar dhe nuk mund të jetë i pranueshëm, aq më tepër kur nuk mund dhe në asnjë regjistrim popullsie të ngjashëm me atë që do të ndodhë në vendin tonë nuk ka penalitete të kësaj natyre” - tha Dule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›