E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Opozita kërkon të kthejë vendin mbrapa në kohë”

23/03/2009  Kryeministri Sali Berisha përkujton fitoren e PD-së më 22 marsi 1192

17 vjet pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Kryeministri Sali Berisha ka theksuar rëndësinë që patën ato për të ardhmen e vendit. Lideri i demokratëve, ish-president i Republikës, aktualisht kreu i qeverisë, kujtoi vitet që kaloi vendi dhe bashkë me të edhe ai vetë gjatë periudhës së tranzicionit politik të vendit. Duke folur për këta 17 vjet pluralizëm në Shqipëri, Berisha është treguar i ashpër me opozitën aktuale të majtë, duke theksuar se “në vitin 1997 organizoi rebelimin komunist në vend me qëllim rimarrjen e pushtetit dhe si pasojë vendosi regjimin kleptokratik”. “Ata që përpiqen të tregojnë Shqipërinë si tokë të djegur, kërkojnë të mbrojnë të shkuarën e tyre diktatoriale dhe ofrojnë si të ardhme pikërisht të shkuarën”, - deklaroi Kryeministri Berisha. Duke i etiketuar si donkishotë të historisë liderët aktualë të së majtës, Berisha nënvizoi se krerët e partive të majta kërkojnë me çdo kusht kthimin mbrapa dhe t’i mohojnë shtresës së qendrës së djathtë realizmin e ëndrrave evropiane. Berisha u shpreh i bindur në fitoren e PD-së dhe koalicionit të qendrës së djathtë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ndërkohë ai theksoi se partitë e opozitës do të përplasen me njëra-tjetrën duke u akuzuar se cila ishte fajtore për humbjen. Berisha ka thënë se gjatë 4 vjetve të qeverisjes së PD-së Shqipëria i shndërrua nga protektorat i krimit në një nga vendet më të sigurta.

Berisha për Tropojën

Shefi i ekzekutivit ka deklaruar dje se, pavarësisht distancës, gjendet në Tropojë, vendlindjen e tij, çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj. Kryeministri Berisha theksoi se qyteti po rindërtohet plotësisht, pasi ishte lënë në harresë dhe në vite ishte shkatërruar si gjatë diktaturës komuniste, ashtu dhe nga bombardimet gjatë luftës së Kosovës. Duke komentuar vizitën që kundërshtari i tij politik, kreu i PS-së Edi Rama zhvilloi në Tropojë dy ditë më parë, Berisha tha se priste nga ai (Rama) të kërkonte të falur për të kaluarën. “Rama duhet t’u kërkonte të falur atyre nënave, familjeve për varret që hapën bandat me granda dhe me uniforma politike. Duhet të dini se çdo vend ka historinë e vet, por ai rreth ka 1001 arsye për të qenë krenar me historinë e tij. E ndoqa me shumë interes. Prita të kërkonte të falur, por nuk e bëri”, - tha Berisha.

Pronat

Kreu i qeverisë ka premtuar se problemi i kthimit të pronës tek i zoti do të zgjidhet përfundimisht gjatë mandatit të tij të dytë qeverisës, duke u shprehur i bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit. Berisha është shprehur krenar për mundësitë që ai dhe partia që drejton ka pasur për të kthyer pronën te pronarët e ligjshëm. Sipas tij, qeveria ka punuar për të rrëzuar malin e falsifikimeve të bëra me titujt e pronësisë.

Gabimet

Kryeministri Sali Berisha ka pohuar se si çdokush është njeri që gabon. Ai ka theksuar se një nga gjërat që ka përçmuar më shumë është paraqitja e një lideri si i pagabueshëm. “Kam pasur bindjen se aq sa jemi mëkatar, aq jemi dhe të gabueshëm. Njeriu nuk mund ta nxjerrë veten jashtë teorisë së gabimit”, - ka thënë ai. Sipas tij, në një kërkim shkencor gjëja më kryesore është përllogaritja e gabimit dhe ai është njeri që qëmton gabimet e tij.

Riorganizimi i Partisë Demokratike

Shpallen kandidaturat për kryetar të PD-së së degës së Fierit

Në degën e Partisë Demokratike të degës së Fierit janë shpallur zyrtarisht kandidaturat, të cilët janë Ferdinand Murati dhe Koçi Papuçiu. Të dy kandidaturat janë pranuar nga kryesia e degës së PD-së pas propozimeve nga anëtarësi. Papuçiu ka shprehur besimin në fitoren e tij për kreun e degës, duke u mbështetur në vlerat e tij intelektuale dhe besimin që i ka dhënë anëtarësia duke arritur deri këtu. “Ishte propozim i intelektualëve të një numri të madh fierakësh, të cilët nga kreu aktual pothuajse ishin përjashtuar dhe kishin vështirësi për të hyrë në marrëdhënie me PD-në dhe njëkohësisht me elektoratin. Prandaj propozimi i grupit të madh, duke gjetur edhe unë ngrohtësinë e tyre, më bënë që të mirëpres këtë kandidim dhe duke pasur mbështetjen e tyre premtoj se do të sjell risi në PD-në e Fierit”, - ka thënë Koçi Papuçiu. Për këtë kandidat posti i kreut të PD-së së degës së Fierit është detyrim dhe njëkohësisht besim i anëtarësisë për të mundësuar rritjen dhe forcën e funksionimit të strukturave të PD-së dhe fitores në zgjedhjet e 28 qershorit.“Unë garantoj mbi 80% mbështetje të votimeve në PD-në e Fierit”, - ka thënë Papuçiu. Gjithsesi, gara për kreun e PD-së së kësaj dege është e hapur mes dy rivalëve brenda kësaj force, të cilët do të përballen me votën e delegatëve në konferencën që do të zhvillohet këtë javë.

Për kreun aktual të PD-së së Fierit Ferdinand Murati kjo është një rrugë e nisur dhe gjithsesi garanton mbështetjen e një numri të madh të anëtarësisë dhe kryesisë së saj. “Unë do të vazhdoj të punoj me forca dhe imazhe të reja dhe do të mbështes në mënyrë demokratike çdo kandidaturë tjetër që paraqitet për kreun e PD-së së Fierit”, - ka thënë Murati.

Aurora Damini

Kartat e reja të identitetit

Berisha: Opozita përpiqet të dekurarojë qytetarët

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se pajisja e qytetarëve me kartat e reja të identitetit është shumë e nevojshme, pavarësisht përpjekjeve të opozitës, e cila kërkon t’i dekurajojë të gjithë. “Ka sot nga ata që përpiqen t’u dekurajojnë ju për blerjen e saj, ka sot nga ata që përpiqen ta paraqesin të pavlerë dokumentin më të vlefshëm që ju keni marrë gjatë jetës suaj. Ka sot nga ata që për 8 vjet ju mashtruan se do t’u bënin me dokumente të reja identiteti dhe nuk ju bënë dot kurrë, ndërsa sot me populizmin e tyre shpërndajnë mashtrime”, - tha kreu i qeverisë duke folur në zonën e Kurbinit në vijim të turit të tij “Shqipëria po ndryshon”. Sipas tij, dokumenti i ri i identitetit do të jetë një bazë e fuqishme për lëvizjen e lirë gjatë procesit të integrimit tonë në Bashkimin Europian, si dhe do të jetë dokumenti më kryesor për shumë shërbime që do t’u afrohen qytetarëve në mënyrë më moderne. Duke u ndalur në procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet elektronike, Berisha vlerësoi se ky është një dokument jashtëzakonisht i vlefshëm, sepse sot e tutje shqiptarët ngado që lëvizin identifikohen me një dokument ndër më modernit në Europë.

Investime

Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon” Kryeministri Berisha inauguroi dje punimet për shndërrimin e segmentit rrugor Milot–Fushë-Krujë në autostradë me katër korsi. Ky investim, me vlerë 50 milionë euro, parashikon dublimin e superstradës Milot–Fushë-Krujë në 9 lote, me një gjatësi të rrugës ekzistuese 13 km, duke e kthyer nga një rrugë me dy korsi në një autostradë me katër korsi dhe një korsi emergjence me gjerësi 26 m. Parashikohet dublimi i të gjitha urave ekzistuese, mbikalimeve, nënkalimeve, duke e bërë një rrugë të standardeve më të larta.

Masat antikrizë

Konfindustria propozon masat për kalimin e krizës

Administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku ka thënë se është e nevojshme arritja e Paktit të Përgjegjshmërisë Sociale Antikrizë ndërmjet sindikatave të punëdhënësve, punëmarrësve, vendimmarrjes politike si dhe gjithë aktorëve të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare për përballjen me pasojat e krizës globale në ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Sipas tij, vullneti i Konfindustrisë u shpreh në Ditën Botërore të Kërkesave të Sindikatave ndaj qeverive për përballjen me krizën globale financiare në një takim të përbashkët me përfaqësues të sindikatës së punëmarrësve, përfaqësues të shoqërisë civile dhe botës akademike zhvilluar në Tiranë. Buxhuku theksoi se Konfindustria, bazuar në të dhënat dhe analizën e saj, është e mendimit se shfaqja e vërtetë e krizës në Shqipëri në periudhë afatmesme do të jetë pikërisht ulja e aftësisë konkurruese të industrive vendore me pasoja të rënda në falimentim, papunësi dhe ulje të nivelit të jetesës dhe e vetmja mënyrë efikase e pakësimit të pasojave të krizës është mbështetja me çdo mënyrë e prodhimit të brendshëm. Sipas tij, duke pasur parasysh veçoritë ekonomike, politike dhe shoqërore të Shqipërisë në kushtet e krizës botërore ekonomike, Konfindustria në kuadër të Paktit të Përgjegjshmërisë Shoqërore Antikrizë këshillon politikën shqiptare dhe grupet e interesit për masat konkrete që duhet marrë. “Duke pasur parasysh peshën e rëndë të marrjes së vendimeve të nevojshme kundër pasojave të krizës dhe sidomos kohën e shkurtër prej pothuaj vetëm 3 muaj deri në zgjedhjet e ardhme të përgjithshme, kërkesat për shqyrtimin e marrjes së masave antikrizë duhet t’i drejtohen të gjithë vendimmarrjes politike pa përjashtim”, - tha Buxhuku. Ai shtoi se të gjithë aktorët e jetës shoqërore, politike, medies, institucioneve të punëdhënësve dhe punëmarrësve etj., sidomos në kohën e afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme, duhet të jenë tërësisht të përgjegjshëm në veprimet dhe shprehjet e tyre për të mos krijuar panik të panevojshëm dhe rënduar pa arsye pasojat e vërteta të krizës globale në ekonominë shqiptare. Për Buxhukun duhet të kërkohet nga ekzekutivi dhe vendimmarrja politike në përgjithësi për të qenë tepër të kujdesshëm në përgatitjen e masave antikrizë për të mos shpërdoruar mundësitë e pakta financiare që vendi zotëron. “Për këtë duhet që masat e menduara antikrizë të këshillohen gjerësisht me grupet e interesit dhe gjithë vendimmarrjen politike pa dallim me qëllim rritjen e efektshmërisë dhe sigurimin e vazhdimësisë, pavarësisht ndryshimeve politike zgjedhore të afërme”, - nënvizoi ai. Administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë bëri me dije se janë përgatitur dhe shumë shpejt do të bëhen të ditura publikisht masat e nevojshme të përballjes me pasojat e krizës globale në ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›