E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita kirgize merr pushtetin

Opozita në Kirgizi ka njoftuar dje se po formon një “qeveri popullore”, pas përplasjeve të dhunshme në këtë vend, si pasojë e të cilave u vranë së paku 65 persona.

Udhëheqësit e opozitës u bënë thirrje popullatës që të vihen në kërkim të ministrave të qeverisë së përmbysur, me qëllim që ata të kapën, pas protestave të dhunshme, të cilat kapluan Kirgizinë të mërkurën.

Synimi i tyre kryesor është arrestimi i presidentit Kurmanbek Bakiyev.

Mendohet se ai u largua drejt jugut të vendit me të paktën një nga ministrat.

Udhëheqësit e rinj kanë marrë nën kontroll selinë e qeverisë në kryeqytetin e vendit, Bishkek.

Gjatë natës ka pasur skena kaosi dhe plaçkitje.

Një nga figurat e opozitës në Kirgizisë, Roza Otunbajeva, tha se qeveria e përkohshme do të qëndrojë në pushtet për gjashtë muaj, për të hartuar një kushtetutë të re.

Vetë presidenti Bakiyev erdhi në pushtet pas atij që u quajt Revolucioni i Tulipanëve në këtë vend para pesë vjetësh.

Ish-ministrja e Jashtme, Roza Otunbayeva, tha se janë emëruar Minsitrat e Brendshëm dhe të Mbrojtjes.

"Dje morëm kontrollin e vendit dhe qeveria dha dorëheqjen. Kemi emëruar disa vetë në postet kyçe", deklaroi Otunbayeva.

Ndërkohë nuk dihet vendndodhja e presidentit Kurmanbek Bakiyev.

Zonja Otunbayeva tha se qeveria e përkohshme nuk e njihte autoritetin e tij.

"Ai është larguar nga kryeqyteti i vendit dhe nuk kemi kontakte me të."Sigurisht që qeveria jonë nuk do ta njohë pushtetin e tij dhe kërkojmë kapitullimin e plotë," theksoi Otunbayeva.

Në ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe SHBA-në, Rusinë, OKB-në BE-në dhe Kinën, kanë kërkuar nga palët në Kirgizi, që të tregojnë qetësi dhe përmbajtje.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mOon, është shprehur i shokuar për humbjen e jetëve të njerëzve në Kirgizi, pas dhunës vdekjeprurëse ndërmjet policisë dhe protestuesve anti qeveritarë.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherin Ashton, po ashtu ka shprehur shqetësim për dhunën në Kirgizi dhe i ka ftuar palët që të tregojnë përmbajtje.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Philip Crowley, tha se operacionet amerikane në bazën ushtarake në qytetin Manas të Kirgizisë, nëpërmjet të së cilës mbështeten operacionet në Afganistan, duket se po “funksionon normalisht”.

Në anën tjetër, kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, theksoi se Moska ka njohur tashmë autoritetet e reja të Kirgizisë dhe se “Rusia nuk ka pasur gisht në trazirat e fundit në këtë ish-republikë sovjetike”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›