E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të ngrihet një bankë publike

Në këtë konferencë po paraqiten dhe diskutohen idetë që sigurojnë një rritje ekonomike të vendit deri në vitin 2020. Midis të tjerash, kreu i qeverisë theksoi nevojën për forcimin e rolit rregullator të enteve në energjetikë, ngritjen e një banke Publike, zhvillimin së afërmi të fondeve të pensioneve dhe sigurimeve. Ai premtoi vijimin e punës për thellimin e mëtejshëm të lehtësirave në sistemin fiskal në ndihmë të ekonomisë dhe formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, si kushte për zhvillim.

"Do të bëjmë ndërhyrje të tjera për të lehtësuar barrën fiskale për sipërmarrësit dhe qytetarët", tha Berisha. Shqetësimin për sistemin bankar e paraqiti President i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, i cili theksoi se bankat në vend nuk japin më kredi për bizneset e vegjël, por vetëm për kompanitë e mëdha. Buxhuku kërkoi ngritjen e një banke publike si në vendet e tjera dhe si mjet që ndihmon ecjen ekonomike të vendit dhe mbështeti politikat e taksave të ulëta dhe taksës së sheshtë, si mjet që ndihmon zgjerimin e investimeve të huaja. Ai kërkon forcim të Enteve rregullatore në energjetikë, hidrokarbure, të agjencive zyrtare, si nevoja urgjente për sektorët strategjikë. "Nëse ato nuk bëhen, cenohet biznesi dhe demokracia dhe rrezikohet futja e ekonomisë në monopole, që janë mjaft të rrezikshme", tha ai.

Kryeministri Berisha e quajti "të domosdoshme" forcimin e enteve rregullatore, ndërsa miratoi shqetësimet e ngritura për sistemin bankar, që ka ardhur nga vende në tërësi të Eurozonës, që kanë sistem bankar të konsoliduar.  Berisha duke vlerësuar se sistemi bankar sot në Shqipëri mbështetet në monedhën Euro, pranoi nevojën për një "diversifikim të sistemit bankar në Shqipëri". "Duhet të bëjmë gjithçka për të inkurajuar banka nga Zvicra, SHBA, Turqia", tha ai.

Gjithashtu Berisha pranoi si "imperative' kërkesën për një bankë publike. "Është imperative dhe po mendojmë krijimin e një banke shqiptare të zhvillimit me destinacion, sektorë të caktuar", tha Berisha. Gjithashtu, duke u nisur nga koncepti se "paraja në gjumë është pa vlerë", Berisha tha se "do të bëjmë gjithçka për të nxitur qytetarët për të investuar në bono thesari".  Në përgjigje të diskutimit të një eksperti të Bujqësisë, Berisha e konsideroi bujqësinë si sektor "me rëndësi  për balancimin e bilancit tregtar' dhe prodhimin, kryesisht nga sektori i bujqësisë.

Ai u ndal në investimet e mëdha që janë bërë në ndërtimin e një infrastrukture në fshatra dhe komuna. "Do të përqendrohemi fuqishëm në sistemin e bujqësisë në arritje të standardeve më të mira", tha Berisha, duke premtuar se "ky sektor do të ketë mbështetje të plotë". Kryeministri pranoi si problem themelor ngurtësinë e tregut të punës dhe premtoi se "duhet të bëjmë gjithçka për të bërë tregun e punës më fleksibël dhe nxitjen e konkurrencës. Njerëzit duan punë dhe këtë e krijon liria ekonomike", tha Berisha. /Start/

                                                                                             2012-09-27 12:17
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›