E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në Kuvend për ligjin e Gjykatës së Lartë

Deputetët e mazhorancës akuzuan kolegët e tyre në opozitës se po bllokojnë qëllimisht këtë ligj, ndërsa në kundërpërgjigje socialistët kërkojnë përmbushjen e kushteve të vëna. Deputeti Enkelejd Albieaj, tha se opozita me këtë qëndrim synon të marrë prokurorinë.

“Çështja e ligjit të Gjykatës së Lartë nuk ka të bëjë me çështjen e kryetarit të qarkut Fier. Ju keni për qëllim një pazar, doni të kapni copëza nga Gjykata Kushtetuese nga Gjykata e Lartë, doni të merrni Prokurorinë. Ju tregoheni lakuriq para moralit të vendit. Ligjin e Gjykatës së Lartë vetë e kërkuat, rasti i Gjykatës Administrative. Ju doni një pazar tjetër, doni këshillin e qarkut të fierit. Ju nuk pranoni votën e qytetarëve të Fierit”, tha Alibeaj.

Deputeti Taulant Balla, u përqendrua tek rasti i Fierit, teksa replikoi me kolegun demokrat. “Nuk fole si deputet i Fierit, por si djali i Ali Beut, një be mund të flasë si ty, ndërsa populli i Fierit është shprehur me votë edhe në 8 maj, duke e dhënë vullnetin për këshillin e qarkut Fier, asgjë nuk do ndryshojë në sistemin e drejtësisë nëse miratohet ligji”, tha ai.

Balla shtoi se ligji zbatohet vetëm kur do kryeministri Berisha. “Drejtësia nuk bëhet vetëm kur i do qejfi Saliut. Kur do ai ligji respektohet. Për një vendim gjykate Berisha firmosi shpërblimin e Vehbi Alimuçës, se ky na paska vuajtur në burg…e shpërbleu se pak para mori ai , ndërsa 13 vendime të gjykatës për Këshillin e Qarkut Fier, Saliu nuk pranon ti zhbllokojë”, tha. Ai shtoi se ligji që është propozuar nuk është i plotë.
“Vehbiu mori 12 milionë lekë shpërblim, ndërsa të persekutuari dergjen në grevë urie, por Saliu nuk pranon të firmosë për ta, ndërsa për Vehbiun e vet e respekton vendimin e Gjykatës, hajde respekto vendimin e Gjykatës për Qarkun e Fierit”, u shpreh deputeti socialist.

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, akuzoi opozitën se po përfshihet në retorika boshe, duke mos sjellë asnjë argument për rastin e Fierit. "Nxirrni ndonjë nga vendimet që thoni se nuk janë respektuar e mos gënjeni popullin. Nxirrini qytetarëve të Fierit ndonjë vendim dhe thoni se ky është vendim që nuk na lejon 'x' zyrtar i këtij vendi, por mos u fshihni pas retorikave boshe", tha Halimi në Kuvend.

Deputeti i PS-së, Blendi Klosi tha se ky ligj për Gjykatën e Lartë i shërben vetëm kupolës qeverisëse. “Ligji nuk zgjidh asgjë për administratën publike, bëhet siç e tha dhe ministri për të mbushur kërkesat e BE. Duhet një ligj për të pasur një administratë të qëndrueshme që i shërben qytetarëve, ky nuk është në shërbim të administratës por në shërbim të kupolës në qeveri”, tha Klosi.

Ligji për Gjykatën e Lartë sot në Kuvend

(10:14)-  Kuvendi i Shqipërisë në punimet e seancës plenare të së enjtes ka në rend dite disa ndryshime në ligjin "Për Gjykatën e Lartë".
Drafti, që kërkon shumicë të cilësuar, nuk e ka marrë votën e opozitës gjatë diskutimit në komisionin e Ligjeve.

Deputetët socialistë e kanë kushtëzuar miratimin e këtij pr/ligji të rëndësishëm me plotësimin e tre kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me reformën parlamentare, zhbllokimin e financimeve për bashkitë e drejtuara nga opozita dhe zgjidhjen e problemit për drejtimin e qarkut të Fierit.

Ndërkohë, që ndërkombëtarët janë shprehur që ndryshimet në ligjin "Për Gjykatën e Lartë" të miratohen sa më shpejt, në mënyrë që të bëhen pjesë e vlerësimit që komisioni pritet të japë për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE.

Agjenda e sotme e Kuvendit përfshin dhe shqyrtimin e pr/ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore", disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për profesionin e avokatit", si dhe interpelancën me Ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, kërkuar nga deputeti socialist, Albert Çaçi. /Start/

                                                                                             2012-09-27 12:14
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›