Opozita mbledh mijëra në shesh, kërkon hapjen e kutiveNga Tema Opozita ka mbledhur dje në sheshin para Kryeministrisë mijëra qytetarë për të kërkuar hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e zgjedhjeve. Kryetari i Partisë Socialiste,
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Opozita mbledh mijëra në shesh, kërkon hapjen e kutiveNga TemaOpozita ka mbledhur dje në sheshin para Kryeministrisë mijëra qytetarë për të kërkuar hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e zgjedhjeve.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shoqërohej në protestën e djeshme në krye të qytetarëve të ardhur nga të gjitha anët e vendit nga krerët e katër partive të koalicionit të majtë, si dhe nga krerë të shoqatave të ndryshme, të cilat kanë shpallur aleancën me PS në betejën për zbardhjen e të vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Në mitingun e djeshëm të opozitës u hodhën parullat “Hapni kutitë e votimit!” apo “Ku është vota ime?”
Protesta e djeshme e opozitës është hapur nga anëtari i Kryesisë së PS, njëherësh deputet i kësaj partie, Pandeli Majko. Më pas në miting kanë përshëndetur krerët e të gjitha partive aleate me PS, si dhe krerë të shoqatave, deputetë të PS dhe qytetarë të thjeshtë. Ata kanë akuzuar kryeministrin Berisha për manipulimet zgjedhore, por nuk kanë lënë pa akuzuar edhe Ilir Metën e LSI si tradhtar të së majtës. Në mitingun e djeshëm të opozitës ishin të pranishëm edhe disa prej drejtuesve të LSI, në emër të të cilëve përshëndeti në protestën e djeshme Ndre Legisi.
Krerët e opozitës deklaruan dje se aksioni politik për zbardhjen e asaj që ata e quajnë “maskarada zgjedhore e 28 qershorit”, sapo ka nisur, dhe se protestat do të vijojnë në të gjitha sheshet e vendit, derisa mazhoranca të pranojë të hapë kutitë e votimit.
Sot institucionet e shtetit shqiptar ngjajnë me kutitë e pahapura
Nga Pandeli Majko
Jemi sot këtu politikanë të majtë e të djathtë, gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste, sepse sot me kutitë e mbyllura është turp të shkosh në parlament, sot në Shqipëri për fat të keq është turp të paguhesh si politikan, dhe kjo ndodh, sepse kjo kuti e mbyllur përfundimisht nuk dëshiron të bëjë aktin më legjitim, aktin më normal, i cili ndodh në çdo vend anëtar të NATO-s dhe të BE - verifikimin e votës. Verifikimi i votës sot për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është thjesht një kërkesë, por është një konkluzion, një konkluzion i viteve të vështira të tranzicionit, ku kutitë së bashku me rezultatin e manipuluar janë mbyllur dhe varrosur. Sot Sali Berisha dhe qeveria e tij i thonë opozitës t’i drejtohet prokurorisë për votën e vjedhur, po cilës prokurori? Kujt t’i drejtohemi? Kësaj drejtësie, e cila ka kaq kohë që ne presim, që socialistët presin, kolegët e një deputeti të vrarë presin për përgjigje dhe përgjigjja nuk ka ardhur? Sot institucionet e shtetit shqiptar ngjajnë me kutitë e pahapura të votës së lirë të shqiptarëve. Sot kjo godinë është një kuti e pahapur, sot prokuroria është një kuti e pahapur, drejtësia është një kuti e pahapur. Ne nuk mund të lejojmë që fati i Shqipërisë të mbyllet në kutinë e Sali Berishës.
Si në vitin 2005, kërkojmë hapjen e kutive të votimit
Nga Ndre Legisi
Jam sot këtu së bashku me profesorët e nderuar, Pëllumb Xhufi dhe Sabit Brokaj, si edhe shumë ish- drejtues të tjerë të LSI, për të kërkuar ashtu si në vitin 2005 hapjen e kutive të votimit, zbardhjen e krimit elektoral të zgjedhjeve të 28 qershorit. Jemi sot këtu për të mos tradhtuar ato mijëra vota të majta, që u vodhën nga banditët e Sali Berishës, si edhe u trafikuan djathtas si rezultat i etjes për pushtet. Ne jemi sot këtu, për t’iu kujtuar të gjithë shqiptarëve se ishin të sinqertë, kur ngritëm lart parullat kundër qeverisë së Sali Gërdecit, një vit e gjysmë më parë në këtë shesh. Ashtu si atëherë, ne besojmë se Gërdeci ishte krim shtetëror dhe se Sali Berisha me bandën e tij janë përgjegjësit kryesorë. Ne nuk besuam atëherë, se temperatura e lartë që çliroi Gërdeci, kishte salduar përfundimisht, të majtë dhe të djathtë, rreth një qeverie të korruptuar dhe të ngritur mbi vota të trafikuara. Ata që sot nuk janë këtu, e që nuk besonin tek ato parulla, pasi përfaqësonin shkopinjtë e tyre, sot, shërbejnë për të mbajtur në këmbë pushtetin e korruptuar e kriminal të Sali Gërdecit dhe të oborrtarëve të tij. Jemi sot së bashku, pa dallim të majtë dhe të djathtë, jo për të ndarë copat e pushtetit, por për të mos lejuar shkeljen e dinjitetit të votuesve shqiptarë nga hajdutët historikë dhe sistematikë të votave të tyre në këto 20 vjet.
E drejta është me ne, ne do të jemi së bashku deri në fitore!
Kur nuk ke demokraci, asgjë nuk ka kuptim
Nga Vangjel Dule
Më 28 qershor thamë se Shqipëria është në procesin më delikat për në BE. Thamë se duhet të konsolidojmë shtetin e së drejtës, thamë se duhet të garantojmë koherencën sociale, por, edhe sikur të kishim sistemin më të mirë arsimor në botë, kur nuk ke demokraci, çfarë kuptimi do të kishte? Edhe sikur të kishim infrastrukturë, por s’kemi demokraci, çfarë kuptimi do të kishte? Në demokraci, në themel qëndron vota e barabartë, pa të cilën asnjë investim nuk mund të qëndrojë. Ndaj jemi sot këtu, pa dallime partiake, për të kërkuar që vota të respektohet, të numërohet, sepse mbështetet e ardhmja e qytetarëve evropianë.
Të gjithë të bëjmë opozitë ndaj Metës dhe Berishës
Nga Albert Canaj
Edhe unë jam një ndër ju, i larguar nga puna, i larguar nga kjo bandë kriminale. I themi të gjithë së majtës, të dalë ballëhapur, t’i bëjë opozitë Sali Berishës dhe Ilir Metës, i cili ka bërë tradhtinë më të madhe.
Dikur thonin “Nano ik!”, sot thonë “Nano eja të plaçkitim Shqipërinë!”
Nga Fiqiri Xibri
Qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Ju sjell mbështetjen e pakufishme të minatorëve, të cilët në respekt të marrëveshjes parazgjedhore me Partinë Socialiste për statusin e minatorit, votuan masivisht për PS dhe për liderin Edi Rama. Ne jemi sot, nesër dhe gjithmonë një mbështetje e vendosur për çdo vendim të Forumit për Demokraci, deri në ditën e hapjes së kutive të votimit. Jemi strukur përpara kuçedrës, që për 18 vjet nuk ka pasur në themel qytetarin, por plaçkitjen e pasurive kombëtare, kthimin e Shqipërisë në parcela, për ta ndarë pashallarë e bajraktarë, në fillim Berisha, më pas Nano, e tani sërish Berisha dhe Meta. Më 28 qershor na vodhën dinjitetin dhe lirinë tonë. Sot kjo kuçedër po e ndien se është në ditët e saj të fundit dhe të gjitha kokat e saj që dikur krenoheshin, sot janë bashkuar bashkë. Meta e Berisha, ky çift i turpit të semaforëve, kanë thirrur nga errësira Fatos Nanon. Dikur me “Nano ik!”, sot thonë “Nano eja të plaçkitim Shqipërinë!”
A do ta lejojmë dinjitetin tonë të na e shqyejë kuçedra, Berisha, Nano, Meta? Sa kohë që në damarët tanë rrjedh gjak dhe jo ujë, ne do t’i themi jo dhe jo, kurrsesi jo!
Pushteti i Berishës më burgosi, pse dëgjoja këngën e fushatës së PS
Nga Mihal Kumaraku
Unë jam Mihal Kumaraku nga qyteti i Fierit, jam njëzet vjeç. Jam student në universitetin e Tiranës, në fakultetin Juridik. Ajo që unë mësoj çdo ditë në librat e mi, është ligji dhe shteti ligjor. Më 28 qershor, unë u përballa me shtetin dhe ligjin. Shteti më arrestoi, pasi kisha shkelur ligjin.
Shkelja ligjore ishte kënga e Edi Ramës që unë e dëgjoja me zë të lartë në makinën time.
Unë jam mbështetës i PS dhe për shkak të bindjeve të mija, për shkak se më pëlqente të dëgjoja këngën e Edi Ramës, policia e Sali Berishës më burgosi për plot 3 ditë.
E pyeta veten gjatë tri ditëve në birucë: Ku është ligji? Ku e shkela ligjin? Përse shteti i Berishës burgos një student pa të drejtë? Këto përgjigje nuk i gjeta në librat e shkollës.
Në të njëjtën kohë që unë gjendesha në burg, të njëjtat qeli ishin zbrazur nga vrasësit, përdhunuesit e hajdutët, të cilët nuk këndonin, por kërcënonin me jetë popullin për të vjedhur zgjedhjet. Kriminelët ishin të lirë, e në krahë të pushtetit dhe Berishës, duke grabitur votën time. Këtë radhë e pyeta veten:
Për çfarë duhet të vazhdoj të studioj ligj, kur në këtë vend ligji nuk zbatohet? Si mund të besoj në drejtësi, kur shteti që duhet të respektojë ligjin është i pari që e shkel atë? ǒtë bëjmë në një shtet ligjor, ku pushteti e shkel ligjin? Përgjigjen, sërish, nuk e gjeta midis librave të mi, por në brendësi të shpirtit tim. Është shumë e thjeshtë. Duhet të rrëzojmë pushtetin, që dhunon shtetin e ligjin. Vetëm kështu vullneti i studentit të juridikut, vullneti i të gjithë të rinjve, vullneti i të gjithë shqiptarëve respektohet.
I kërkoj deputetëve të qarkut të Fierit, për mandatet e të cilëve u rrahëm, u lamë pa punë, u burgosëm:
Pa u zbardhur e vërteta e 28 qershorit, pa u numëruar çdo votë, pa u hapur kutitë, ka vetëm bojkot e protestë.
Meta: Protesta e PS është destruktive
Kryetari i LSI, Ilir Meta, njëherësh ministër i Jashtëm dhe zv/kryeministër në qeverinë Berisha, e vlerësoi protestën e djeshme të opozitës si destruktive dhe të pakuptimtë. Meta tha dje se protesta e opozitës është absurde dhe paradoksale, pasi, sipas tij, nëse ka probleme nga zgjedhjet e 28 qershorit, këto vijnë pikërisht nga “përgjegjësia kryesore e kreut të Partisë Socialiste, i cili ka drejtuar reformën zgjedhore, reformën elektorale, madje edhe procesin e administrimit të zgjedhjeve”.
Meta përsëriti kërkesën e tij drejtuar Partisë Socialiste për të ndërprerë bojkotin dhe për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Meta tha se qëndrimi i kryeministrit Berisha lidhur me kërkesat e opozitës ishte konstruktiv dhe se PS duhet të vijë në parlament dhe të pranojë ofertën e Berishës për t’i dhënë PS shumicën në komisionin parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. “Reagimet destruktive janë në dorën e cilitdo, por nuk do të cenojnë procesin e Shqipërisë, e cila ka në axhendë reformat e integrimit evropian”, - u shpreh Meta.