Opozita mbyll gojën, pas denoncimeve të Topallit për lidhje të Ramës me Gërdecin

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka akuzuar dje kryesocialistin Edi Rama për afera korruptive me lejet e ndërtimit me biznesmenin Mihal Delijogji që aktualisht gjendet në burg i akuzuar si përgjegjësi kryesor i tragjedisë së Gërdecit. Duke reaguar pas akuzave të kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj të lidhur me ngjarjen e 15 marsit 2008 në Gërdec, kryeparlamentarja kërkoi publikisht nga kreu i selisë rozë shpjegime në lidhje me marrëdhëniet e tij me Delijorgjin. “Pyeteni kryetarin e partisë tuaj me kë ka qenë në Kretë para disa vitesh. Pse nuk janë hequr lejet e ndërtimit që Mihal Deligjorgji ka në mes të Tiranës, të dhëna nga kryetari i juaj, Edi Rama. Në sa pjesë është aty brenda?”, pyeti Topalli, duke kërkuar gjithashtu sqarime nga kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, se, “përse nuk përmendet emri i Delijorgjit në sallën e parlamentit”. Kjo e fundit ka reaguar vetëm duke u shprehur se në rast se kryeparlamentarja Topalli ka fakte për ato që thotë duhet që t’i depozitojë ato në Prokurorinë e Përgjithshme. Mihal Deligjorgji, ish-administrator në fabrikën e demontimit në Gërdec, është një nga tre personat e vënë nën akuzë nga Prokuroria për ngjarjen e rëndë, nga e cila humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.
...