E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: Komision hetimor për monitorimin e raporteve mes medias dhe politikës

Nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka duke iu referuar rastit më të fundit të publikimit të disa pamjeve në një media televizive, e ka cilësuar këtë veprim si jo etik dhe të një anshëm, gjë që sipas tij vihet re dhe në pasqyrimin që u bën zhvillimeve politike. Ceka deklaroi më tej se njëanshmërinë e kësaj medie e ka ndjerë dhe PAD, pasi ky ekran ka zhdukur figurën e kësaj partie prej muajsh. Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka kërkoi më tej që për këto media të vendoset një ligj, në mënyrë që transmetimet e tyre të disiplinohen, dhe kjo jo vetëm nga ana e KKRT-së, por duke ngritur një Komision të posaçëm hetimor i cili të vëzhgojë raportet e medias elektronike me qeverisjen qendrore dhe atë vendore. “Do të ishte në nderin e parlamentit krijimi i një komisioni hetimor, i cili përveç korrigjimeve ligjore të shikonte dhe raportet e medias elektronike me qeverisjen, qoftë me atë qendrore apo vendore, për të parë se në çfarë raportesh janë financimet që vijnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte për mediat dhe që mund të synojnë futjen e saj nën patronazhin politik”, tha nënkryetari i Kuvendit. Duke marrë shkas nga debati i madh që ngjalli publikimi i rastit Pango, Ceka e vlerësoi këtë si “tejkalim i pushtetit të medias në prekjen e privacisë”. “Ka një diskutim të nxehtë për rolin e medias në informimin e publikut, nëse ajo e bën vërtet informimin për interes publik apo merr njëanësi në luftën politike mes partive të mëdha politike dhe mes pozitës dhe opozitës. Një pjesëmarrje e medias në luftën politike, e kondicionuar kjo nga favore ekonomike do të ishte një rrezik i madh, jo vetëm për politikën, por për vetë lirinë e medias”, tha Ceka. Nënkryetari i Parlamentit theksoi se përdorimi i kamerave të fshehta nga mediat vizive ka tejkaluar kompetencat e Prokurorisë, ndaj sipas tij është e nevojshme ngritja e komisioneve të posaçme, duke shtuar se “kjo, megjithatë, nuk do t'i pengonte mediat të përdorin kamerat e fshehta, por gjithmonë të ketë një disiplinim të tyre që njeh caqet e lirisë së njeriut, por dhe të interesit publik. Duhet të ketë një ligj që transmetimi i tyre të disiplinohet, që ajo të jenë kompetencë jo vetëm e KKRT-së, por edhe e një komisioni të posaçëm të përbërë jo nga politikanë, por nga gjykatës dhe avokatë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›