Fatos Nano: Edi Rama s’është i majtë, më çudisin ata që po shkatërrojnë karrierat duke shkuar pas tij

Ish-kryeministri është shfaqur në publik, duke e cilësuar Edi Ramën, si një njeri që s’ka lidhje me politikën, po ndërmerr veprime të pakuptimta dhe vepron në kundërshtim me interesat e shqiptarëve në përgjithësi dhe të të majtëve në veçanti
“Unë besoj se flas, duke heshtur gjithashtu. Natyrisht nuk mund të jem pranë një politike që është në vlerësimin tim e pakuptimshme, pavarësisht nga etiketat e reja. Dhe e pafrytshme jo vetëm për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për popullin e majtë në veçanti, madje vazhdoj të mendoj sesi është e mundur se si politikanët e rinj nuk po kalkulojnë as interesat e karrierës së tyre personale”,
Pas një periudhë relativisht të gjatë heshtjeje që prej braktisjes së lëvizjes antiRama në bazën socialiste, ish-lideri historik i së majtës dhe ish-kryeministri socialist Fatos Nano, i është rikthyer dje sulmeve në adresë të lidershipit aktual të PS-së dhe konkretisht ndaj kreut të saj Edi Rama.
Gjatë një reagimi për mediat pas aplikimit të tij dhe bashkëshortes për marrjen e kartës së re të identitetit në njësinë minibashkiake nr. 10 në Tiranë, Fatos Nano ka thumbuar liderin e Partisë Socialiste duke u shprehur se “PS-ja nuk përfaqësohet nga politika e sotme zyrtare”.
Sipas tij, “kjo politike është e pakuptimtë jo vetëm për shqiptarët por edhe për të majtët”.
“Unë besoj se flas, duke heshtur gjithashtu. Natyrisht nuk mund të jem pranë një politike që është në vlerësimin tim e pakuptimshme, pavarësisht nga etiketat e reja. Dhe e pafrytshme jo vetëm për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për popullin e majtë në veçanti, madje vazhdoj të mendoj sesi është e mundur se si politikanët e rinj nuk po kalkulojnë as interesat e karrierës së tyre personale”, deklaroi Nano në përgjigje të pyetjes së bërë se, “cili do jetë angazhimi juaj politik në këtë periudhë të shkurtër kohore?”.
Në këtë kuadër ai tha se do të qëndrojë për momentin larg kësaj politike të pakuptimtë, jo vetëm për shqiptarët në tërësi, por dhe për popullin e majtë në veçanti. Duke nënkuptuar me këtë asrt se angazhimi i tij do të jetë sërish i pjesshëm ashtu në rastin e zgjedhjeve lokale të vitit 2007.
Gjatë aplikimit për kartat e identitetit në njësinë bashkiake numër 10. Nano e vlerësoi këtë proçes “si të rregullt për një vend demokratik”.
Pyetjes nëse do t’i bashkohej Partisë Socialiste të Vërtetë 91 të drejtuar nga Petro Koçi, Nano tha se ndihej nje socialist i vërtetë dhe se për këtë nuk kishte ndërmend të braktiste PS-në.
Në shtator të vitit 2007, vetëm dy muaj pasi nuk mori nga Rama bekimin për të qenë kandidati zyrtar i socialistëve për postin e Presidentin e Republikës, Nano do të fillonte me mbështetësit e tij një tur në bazën e PS-së.
Ish-lideri historik i PS-së deklaroi që në krye te herës se brenda atij viti do të inicionte mbledhjen e firmave të anëtarëve të PS-së për një referendum brenda saj për revokimin e shumë reformave në statutin e kësaj force që kishte provokuan mënjanimin e shumë drejtuesve të vjetër deri në largimin e tyre të plotë nga partia. Sipas tij edhe kandidatët e PS-së për zgjedhjet e qershorit 2009 nuk duhet të zgjidhen nga Tirana por nga vetë baza. Gjatë takimeve të tij në bazë Nano e ka akuzuar kryesocialistin Rama për korrupsion politik dhe ekonomik, uzurpim të demokracisë së brendshme në parti me anë të metodës staliniste të shpalljes së grupeve armiqësore.
Në turin disajavor Nano ka qenë i shoqëruar nga një grup deputetësh si Petro Koçi, Besnik Dervishi, Elmaz Sherifi, Rajmonda Stefa, Hamit Kosta dhe Luan Memushi. Megjithatë gjithçka braktiset befas në fundin e shkurtit 2008 dhe që prej atëherë kundërshtarët qëndrestarë të Ramës u detyruan që të mendojnë seriozisht shkëputjen përfundimtare nga selia rozë, gjë që u konkretizuar vetëm në vjeshtën e vitit të kaluar.
...