E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita me hapa të tjerë nëse s'përfillet mocioni

Cila do të jetë fuqia e mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje për rikthimin e masave të reciprocitetit me Serbinë i miratuar javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, pritet të shihet ditëve në vijim, por sidoqoftë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se asnjë dokument nuk ka fuqi më të madhe se Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Vetëvendosja si nismëtare e këtij mocioni, pret se si do të veprojë Qeveria dhe nëse kjo e fundit nuk do ta zbatojë këtë vendim të Kuvendit, atëherë do të ndërmerren hapa të tjerë.

Mocioni që u miratua javën e kaluar, parasheh që 1. Qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, 2. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxisë dhe udhëheq bashkëpunimin me prodhuesit vendor dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen zëvendësimeve për produktet e imortuara nga Serbia dhe 3. Qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetëror për ta siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Por Qeveria konsideron se Kosova aktualisht është duke zbatuar masa të reciprocitetit me Serbinë, dhe nëse opozita kërkon që të mbyllen kufijtë me Serbinë, atëherë duhet të riformulohet ky mocion.

Për fuqinë që ka ky mocion dhe obligimin që e ka Qeveria ta zbatojë atë, kryeparlamentari Krasniqi ka dhënë një përgjigje jo shumë të qartë.

“Unë mund t’iu them që asnjë dokument tjetër, asnjë ligj, asnjë akt nënligjor nuk mund të ketë fuqi më të madhe sesa që e ka dokumenti bazë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Por përfaqësues nga partia më e madhe opozitare nga ana tjetër thonë se Qeveria e Kosovës duhet të sqaroj se për çfarë reciprociteti flet, kur thotë se është duke e zbatuar këtë masë ndaj Serbisë.

“Për këtë mendoj që adresa për të pyetur është Qeveria dhe na tregon saktësisht, sepse ju po e shihni që po deklarohen se ata po zbatojnë masa të reciprocitetit, që është në kundërthënie me atë që kanë thënë para një kohe, sepse ju e dini që janë vendosur masat e reciprocitetit, dhe pastaj ka pasur deklaratë se janë hequr këto masa dhe tash sërish thuhet që ka reciprocitet të tillë. Prandaj unë mendoj që është adresa e saktë në Qeveri se në cilat sfera të jetës po zbaton Kosova reciprocitet karshi Serbisë”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Por Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të qëndrojë duarkryq sa i përket zbatimit të vendimit të dalë nga Kuvendi për reciprocitetin. Deputetja e kësaj lëvizje, Alma Lama konsideron se Qeveria është e detyruar ta zbatojë vendimin e Kuvendit, në të kundërtën mund të merren hapa të tjerë ligjor dhe kushtetues ndaj ekzekutivit të vendit.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi duke e shqyrtuar cilët do të jenë hapat ardhshëm, sepse realisht duhet t’i lëmë pak kohë Qeverisë që të shohim nëse do ta merr vendimin seriozisht apo jo, dhe pastaj do të fillojmë me mjetet të tjera ligjore për të detyruar qeverinë që të ndërmarrë masat. Jemi duke diskutuar për këtë çështje”, ka thënë Lama.

Sipas saj, hapa të tjerë që do të ndërmerren në këtë rast përfshijnë mjetet ligjore të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë edhe mocionin për shkarkimin e Qeverisë, por edhe Gjykata Kushtetuese si interpretuese e vendimeve ligjore dhe kushtetuese. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›