Murphy: Bisedimet kanë pasur ndikim pozitiv

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Murphy ritheksoi edhe një herë se mbështesin dialogun i cili po zhvillohet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që rezultatet e tyre kanë pasur ndikim pozitiv për rajonin.
“Mbështesim këto bisedime që janë duke u zhvilluar mes Prishtinës dhe Beogradit dhe mendojmë se ato kanë qenë pozitive, jo vetëm për rajonin por edhe për Prishtinën. Kjo është pasqyruar edhe me vendimet dhe konkluzat e BE-së, të cilat kanë dalë javën e kaluar, ku është thënë se këto do të rezultojnë me liri të lëvizjes, në kthimin e regjistrave, por dhe në hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënieve tregtare”, tha ai.
Murphy nuk ka dashur të komentoj lidhur me mocionin e Vetëvendosjes lidhur me masat e reciprocitetit me Serbinë, por tha se kjo lëvizje ka bërë një transformim shumë intensiv prej një lëvizje aktiviste në një parti politike.
“Deri tash mendoj se qasja e Vetëvendosjes ka qenë pozitive, por nuk duhet të jetë vetëm qasje pozitive ndaj problemeve, por duhet të jetë edhe kritike e Vetëvendosja deri tani ka qenë vetëm kritike ndaj të gjitha problemeve”, ëhstë shprehur ai.
I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Michael Murphy fillimisht ka zhvilluar një takim me komandantin e KFT-së, gjeneralmajor Rrahman Ramën, e më pas e ka vizituar edhe Qendrën e Studimeve Universitare.
Në këtë rast, Murphy ka dhënë fjalë të mira për pjesëtarët e FSK-së, të cilët sipas tij po angazhohen shumë në arritjen e kapaciteteve operacionale dhe ndërtimin e përgjithshëm të Kosovës.
“Kemi ardhur të dëgjojmë një njoftim të shkurtër prej gjeneralit Rama si dhe kadetëve lidhur me programin. Të mësojmë pak më tepër për udhëheqësit e ardhshëm të FSK-së. Siç e dimë ata po i ndjekin mësimet në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe në shkollën e studimeve ushtarake. Gjithmonë është kënaqësi të takohem me të rinjtë e Kosovës, posaçërisht me ata që janë duke ndihmuar në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, në këtë rast të FSK-së dhe janë duke u përpjekur edhe që ta bëjnë transformimin e saj. Sa e pash prej atyre me të cilën bisedova ishte shumë domethënëse për mua, që të ia shtangoj dorën disa prej tyre. Nga ajo që pash mendoj se ardhmja e FSK-së është në duar të mira”, ka thënë ai.
Ndërsa gjeneralmajor Rrahman Rama vlerësoi se kjo vizitë tregon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ngritjen profesionale të FSK-së.
“Kjo vizitë e zëvendës ambasadorit, tregon përkushtimin e shteteve të Bashkuara të Amerikës për ngritjen profesionale, bashkëpunimin dhe koordinimin e arritjes së kapaciteteve të plota të FSK-së. Vizita e zëvendës ambasadorit nuk do koment, tregon përkushtimin e shtetit të tij”, tha ai.
Emërtimi i Murphyt si i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, sipas tij ka ardhur si rezultat i mungesë së ambasadorit Cristopher Dell gjatë kësaj kohe në Prishtinë. Ai tha se prapa kësaj nuk ka asgjë të re, veçse ambasadori Dell është në SHBA për pushimet e fund vitit dhe sa herë që ai nuk është në vend, automatikisht ai bëhet i ngarkuar me punë, deri në kthimin e tij.