E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qosja vs LDK, raundi i ri

Rexhep Qosja sërish ka renditur një varg akuzash për LDK-në dhe kreun e saj Isa Mustafa.

Në një shkrim tjetër autorial në gazetë Epoka e Re, të titulluar “Dëshmitarët e gjallë”, i jep atyre një varg akuzash. Ai flet për përgjigjet që i ka dhënë funksionarëve të LDK-së, të cilët sipas tij i kishin shkruar kohëve të fundit.

“Pas sulmit të komsomolistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është njëkohësisht edhe nënkryetar i saj; pas sulmit të sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri; pas sulmit të kryetarit të LDK-së, që është njëkohësisht kryetar i Prishtinës, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe aksionar klubesh, firmash, gazetash ditore e gazetash të murit, Isa Mustafa; pas sulmit me kumtesë të Kryesisë së LDK-së; më 1 dhjetor të këtij viti 2011, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës m’u vërsul edhe me një kumtesë, ç’është e vërteta me armatim më të ndryshkur se ç’ishte armatimi i katër sulmeve të përparme. Gjithsej u bënë pesë sulme! Dhe, me këtë sot, vetëm dy përgjigje të miat”, thotë Qosja, siç transmeton Indeksonline.

Kësaj radhe Qosja ndalet sidomos me akuza ndaj kreut të LDK-së, Isa Mustafa, në lidhje me funksionet e kaluara të këtij të fundit.

“Titullari juaj kryesor i sotëm, Isa Mustafa, e jo unë, Rexhep Qosja, do të bëhet funksionar në administratën komunale të Prishtinës, do të bëhet, madje, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës, që me terminologjinë e sotme do të thotë Kryeministër i Prishtinës, dhe do të bëhet i tillë për dy mandate, natyrisht si i përzgjedhur i Rrahman Morinës dhe Sllobodan Millosheviqit! Dhe ai, Isa Mustafa e jo unë, Rexhep Qosja, do të marrë pjesë në miratimin e në ekzekutimin e vendimeve me të cilat prej shtëpive të tyre do të nxirreshin dhunshëm shqiptarë e në vend të tyre do të futeshin serbë! E të tjera”, thotë Qosja.

“Titullarët tuaj, e jo unë, do ta regjistrojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd posa të formohet ajo. Titullarët e partive filiale të LDK-së, të krijuara për të luajtur lojë pluralizmi partiak jugosllav në Kosovë, e jo unë, do t’i regjistrojnë edhe ato në Beograd posa të formohen”, thotë ai në një shkrim të gjatë.

Ndërsa, LDK në një reagim për media ndaj deklaratave të Qosjes, ka thënë se ky i fundit po gënjen dhe po denigron.

“Rexhep Qosja, i shqetësuar pa masë nga reagimet e LDK-së, i tmerruar që LDK-ja ka dëshmuar të pavërtetat, mashtrimet, denigrimet dhe keqpërdorimet e tij financiare, vijon të gënjejë, të mashtrojë e të denigrojë, me gjuhë të rrugës dhe me mendje të errësuar. Në shkrimin e tij denoncues të radhës, ai prapë u mundua pa shpresë ta denigrojë Presidentin Historik të Kosovës, themeluesin e shtetit të Kosovës, dijetarin e burrin e madh shqiptar, dr. Ibrahim Rugova. Ai shau e gënjeu, i trishtuar para figurës së madhe të Presidentit Historik, sepse e di që vetë është fare i vockël. Ai e di që Rugova ndërtoi gjithçka, e ndërtoi ashtu që të mos arrijë ta shkatërrojë asnjë i sojit të Qosjes e që ka synimet e Qosjes”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas kësaj partie, Qosja foli edhe për NATO e BE dhe siç thonë ata, shkrimin e shoqëroi me fotografinë që e mbush pamja e një stalinisti të përjetshëm, i cili i do shqiptarët në Lindje.

“Ai shau politikisht LDK-në e drejtuesit e saj, gënjeu e mashtroi, duke luajtur me emra si ai i Hydajet Hysenit, Bajram Kosumit etj., sepse i doli nga mendja e plakur dhe e lodhur që z. Hydajet Hyseni ka qenë nënkryetar i LDK-së, ndërsa z. Bajram Kosumi, kryeministër i Kosovës, kur shtetin e udhëhiqnin Presidenti Rugova dhe LDK-ja, në koalicionin me AAK-në e ish-komandantit të UÇK-së. z. Ramush Haradinaj, edhe ky i fundit ish-kryeministër i Kosovës me vullnetin dhe votën e LDK-së. Ai shan LDK-në dhe harron që shan edhe zotërinjtë që punuan për LDK-në ose me LDK-në”.

“Ai prapë u mundua të mashtrojë duke shpikur lidhje me UÇK-në, lidhje që nuk i pati kurrë. Ai luftën e ndjeu vetëm kur iku nga Kosova, i rruar e i kruar”.

Sipas LDK-së, siç e dëshmon vetë Qosja, ai ka uzurpuar dhe mban hapësira në Institutin Albanologjik, edhe pse ka vite e vite që është pensionuar. Ai shpërdoron në këtë institucion si në kohën e ideologjisë së tij, përdor drejtuesit e Institutit Albanologjik, ndihmon dhënien e titujve shkencorë në kundërshtim me ligjin dhe vijon punën e tij të përjetshme të përbaltjes së figurave të mëdha të kombit, sepse e di që vet është i vockël.

“Le të nxjerrë nga “arkivi historik” arsyet pse Shoku Tito, Marshali Tito, i dashuri i tij, është i madh! Le të nxjerrë nga “arkivi historik” shërbimet historike që i ka bërë LKJ-së dhe të vërtetën se si e ka shpërblyer LKJ-ja! Le të nxjerrë nga “arkivi historik” edhe denoncimet që u ka bërë shkrimtarëve të Kosovës, sa herë është kthyer nga Tirana e atëhershme komuniste, që të plotësohen dëshmitë lidhur më veprimtarinë e tij denoncuese, që vite më parë ka nisur të botojë shtypi i Tiranës. Le të nxjerrë nga “arkivi historik” arsyet pse e shpalli veten qytetar lojal të xhelatit Milosheviq ditën kur ky po e hapte kapitullin e tmerrit në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe në Kosovë! LDK-ja e quan të tepërt të merret më tej me këtë person, kërkon hetim të plotë për shpërdorimin e Fondit të shkencës, të parasë publike, nga i cili PDK-ja e ka pagur atë. Ndërsa për veprimet tjera të këtij personi në dëm të interesave të kombit do të duheshin vite e vite hetimesh”, thuhet në reagim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›