Reforma zgjedhore, partitë me qëndrime të kundërta

PDK-ja ndërkaq propozon 6 zona, por me këtë LDK-ja nuk pajtohet, duke kërkuar 10 zona e më tepër. Qëndrime të dallueshme, subjektet politike kanë edhe për listat dhe për pragun zgjedhor, megjithatë pajtohet që kuota gjinore të mbetet.
PDK, AAK e Vetëvendosje të hënën në mbledhjen e Grupit Punues për Zgjedhjet janë shprehur pro listave të hapura, përderisa LDK-ja është edhe për lista të hapura, edhe për të mbyllura, ndërsa vetë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka kërkuar që listat të mbyllen, në mënyrë që të evitohen problemet me të cilat është ballafaquar procesi i zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Për kryetaren e KQZ-së, këto qëndrime të kundërta të subjekteve politike, si për listat, ashtu edhe për pragun dhe për zonat zgjedhore, nuk paraqet ndonjë neglizhencë dhe nuk krijon vonesa, ngase konsideron se puna e Grupit Punues për Zgjedhjet është në kuadër të afatit ligjor.
“Jo, sepse edhe vetë e dini që grupi punues më shumë punon në bazën e ekspertizave dhe i përmbledh të gjitha ato që janë rekomanduar nga të gjitha partitë dhe anëtarët tjerë të cilët vijnë në këtë grup punues, pastaj këto ia dërgon komisionit. Pra është komisioni ai që në fund e merr vendimin dhe me siguri që në komision edhe ato subjekte politike të cilat sot nuk kanë dalë me qëndrime do t’i japin në kuadër të komisionit ato rekomandime. Ne jemi plotësisht në afatin të cilin e kemi si komision dhe grup punues, jemi në atë afat kohor. Mos harroni se komisioni për reformën kushtetuese ka një afat më të shkurtër, kurse ky komision ka një afat më të gjatë”, ka thënë Daka në konferencën për media.
Edhe kryetari i Komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, Haki Demolli ka shprehur besimin e plotë se shumë shpejt do të dalin rekomandimet nga Grupi Punues për Zgjedhjet.
“Ne brenda një kohe shumë të shkurtër do t’i marrim rekomandimet nga Grupi Punues Zgjedhor, e pastaj në kuadër të komisionit do të diskutohet për to dhe të shihet se cilat janë zgjedhjet më të mira të mundshme që do t’i aprovojë komisioni”, ka thënë Demolli.
Për përfundimin e reformës zgjedhore, Demolli ka thënë se nuk ka një afat të përcaktuar në mënyrë decidive, por sa i përket çështjeve që ndërlidhen me ndryshimet kushtetuese, ai ka thënë se shumë shpejt do t’i dorëzohen rekomandimet këtij komisioni.
“Komisioni për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet planifikon që të gjitha rekomandimet e aprovuara nga komisioni, t’ia përcjellë Kuvendit diku në fund të muajit mars, respektivisht fillim të muajit prill, kur edhe përfundon mandati ynë”, është shprehur Demolli.
Në mbledhjen e sotme të Grupit Punues për Zgjedhjet ka dominuar qëndrimi i ndryshëm edhe për pragun zgjedhor, përderisa asnjë prej subjekteve politike nuk ka pasur qëndrim të vendosur plotësisht.
Përfaqësuesi i PDK-së, ka propozuar që ky prag të jetë 2, 2.5 ose 3 për qind, përfaqësuesi i LDK-së, ai i AAK-së dhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes kanë propozuar që për subjektet politike pragu zgjedhor të jetë 5 për qind, ndërsa për koalicionet parazgjedhore 7 për qind. Ndërkohë, Vetëvendosja kërkon që për kandidatët e pavarur pragu zgjedhor mos të ulet nën 2.5 për qind.
Nga ana tjetër, qëndrimi i shoqërisë civile për ndryshimet zgjedhore mbetet ai që ka qenë edhe më herët, që të ketë lista të hapura, 26 ose më shumë zona zgjedhore, dhe të votohet 1 kandidat 1 votë.
Sidoqoftë, në mbledhjen e sotme të Grupit Punues për Zgjedhjet, tri partitë opozitare, LDK, AAK e Vetëvendosje kanë shprehur qëndrimin e tyre që përmbi ndryshimet në çështjet teknike, siç janë listat, zonat dhe pragu zgjedhor, është i rëndësishëm thjeshtësimi i procesit zgjedhor dhe sigurimi i votës së qytetarëve.