Balla: “Berisha nuk ka njoftuar dorëheqjen e zëvendësministres Edit Harxhi”
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të ditur dje në seancë parlamentare se Ministria e Jashtme nuk ka asnjë funksionar në detyrë. Sipas Ballës, zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi, i ka paraqitur dorëheqjen para disa kohësh kryeministrit Berisha për shkak të një konflikti me Ministrin e Jashtëm dhe kreu i qeverisë e ka pranuar dorëheqjen, por nuk e ka bërë publike. Sipas Ballës, Harxhi ka kohë që nuk paraqitet në detyrën e zëvendësministres. “Edit Harxhi ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ndodhet në Shqipëri. Për këtë arsye nuk ka asnjë informacion. Kryeministri e ka pranuar dorëheqjen e zonjës në fjalë, pasi konflikti ka ardhur midis saj dhe ministrit Basha, pasi ky është ankuar te kryeministri se ajo ka tejkaluar kompetencat. Vetë zonja Harxhi ka konfirmuar se ka dhënë dorëheqjen”, - është shprehur Balla dje në seancë. Më tej ai i është referuar zëvendësministrit tjetër të Punëve të Jashtme, Anton Gurakuqi, duke bërë të ditur se ky person akuzohet për falsifikim dokumentesh. Sipas Ballës, Anton Gurakuqi nuk paraqitet në Ministrinë e Jashtme përveç ditës kur duhet të marrë rrogën. Balla gjithashtu shtoi se Gurakuqi çdo ditë gjendet në një zyrë në katin e katërt të Kuvendit dhe thur plane për konflikte partiake. Gjatë fjalimit të tij Balla u shpreh se ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vetëm pak ditë më parë është përfshirë në një incident diplomatik. Sipas Ballës, Basha është futur një orë me vonesë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, duke shkaktuar irritim në sallë. “Ministri i Jashtëm është më i veçanti, pasi nuk dihet kurrë se kur është në Ministri. Bën incidente diplomatike, siç ishte mbledhja e ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s kur ky individ është futur një orë me vonesë duke shkaktuar irritimin e të pranishmëve”, - është shprehur Balla.
24 Qershor 2008