E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Luftuam trafiqet e paligjshme në det, Otranto nuk merr më jetë njerëzish”

08-10-2011 / Gazeta 55

Financimi i Bashkimit Evropian, 7 mjete të reja lundrimi vihen në dispozicion të Rojës Bregdetare

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e dorëzimit Rojës Bregdetare të 7 mjeteve të reja të lundrimit, të financuara nga Komisionit Europian, në vlerën e 3.200 000 Euro. Ceremonia u zhvillua në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Vlorë dhe gjatë saj u inaugurua edhe godina e re e Repartit Delta Forcë, e financuar nga qeveria shqiptare.
Kryeministri vizitoi ambientet e brendshme të Repartit dhe iu bë një prezantim i shkurtër i specifikave teknike të mjeteve të reja lundruese. Këto mjete rrisin kapacitetet logjistike të Rojës sonë Bregdetare, për mbikëqyrjen e hapësirës detare. Mjetet e lundrimit janë prodhim i vitit 2011 dhe kanë si karakteristikë kryesore të tyre shpejtësinë madhe të lundrimi, si dhe aftësinë për të lundruar edhe në det me shkallë të lartë vështirësie. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për vendet anëtare të Bashkimit Europian për ndihmën e dhënë nëpërmjet Komisionit Europian dhe siguroi se kjo ndihmë do të përdoret me profesionalizëm e eficencë, për t’i bërë ujërat tonë më të sigurta, sikundër për të bërë më të sigurta edhe vendet mike. Berisha përshëndeti dhe u shprehu mirënjohjen efektivave të Policisë së Shtetit, të cilët me përkushtim dhe sakrificë përballen me krimin dhe trafiqet, për të mbrojtur jetën, pronën dhe veprimtarinë e qytetarëve.
“Qeveria shqiptare ka bërë investimet e veta. Unë kam bindjen e thellë se ju do të shndërroheni në njësinë model, eficente në luftën kundër trafiqeve dhe kriminalitetit në det. Këtu, pak milje nga ne, ndodhet Kanali i Otrantos. Për vite dhe vite, ky Kanal u bë për shqiptarët simbol i fatkeqësive dhe dramave të mëdha njerëzore. Këto vite, shqiptarët nuk kanë humbur më jetën, në detet e tyre. Puna e shkëlqyer që ju keni bërë bëri të mundur që trafiqet të marrin përgjigjen më të merituar. Por po kjo punë u kurorëzua me sukses të madh në heqjen e vizave. Natyrisht, krimi dhe trafiku nuk ka viza, ndaj është e domosdoshme të bëjmë gjithçka për ta shtypur atë kudo që gjendet, në det, në tokë, kudo ku shfaqet. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që nga brigjet tona të mos mund të lundrojë krimi dhe trafiqet, drejt brigjeve të vendeve mike. Ministri Nishani raportoi këtu disa të dhëna jashtëzakonisht inkurajuese. Ai raportoi se trafiku i heroinës nga 1100 kilogram, në vitin 2004, ka zbritur në 10 kilogram, në tre vitet e fundit. Të dhëna të tjera tregojnë se në tërësi, respekti që shqiptarët tregojnë për lëvizjen pa viza është më i miri në rajon. Por këto janë të dhëna që kërkojnë nga ne një punë të madhe për t’i konsoliduar, pasi sot nuk ka presion më të madh ndërkombëtar, sesa presioni i trafiqeve dhe krimit të organizuar. Kështu që është në detyrën tonë të bëjmë gjithçka e çdo ditë të përballemi në mënyrën më eficente me to”, u shpreh Berisha.
Ai tha se profesionalizimi dhe eficenca e rojës bregdetare do bëjë të mundur që Shqipëria të konsiderohet dhe vlerësohet si një nga vendet më të sigurta.
“Ju keni një pozicion jashtëzakonisht të rëndësishëm në të gjitha brigjet tona. Unë kam besim të madh se këto mjete, dhuratë bujare e vendeve mike dhe taksapaguesve të tyre nëpërmjet Komisionit Europian, do të përdoren me profesionalizëm e eficencë, për t’i bërë ujërat tonë dhe vendin më të sigurt dhe për të bërë më të sigurta vendet mike. Edhe një herë shpreh nderimin tim më të thellë për ju dhe mirënjohjen time për këtë ndihmë bujare, por edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer që agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve mike kanë me ju, një bashkëpunim jetik për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit. Edhe një herë t’i gëzoni këto mjete të mrekullueshme, të cilat do të rrisin në një nivel të ri punën tuaj jashtëzakonisht të rëndësishme”, deklaroi më tej kryeministri Berisha. Në inaugurimin e këtij investimi që kap vlerën e 3.2 milion eurove kanë qenë të pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj, përfaqësues të pushtetit lokal, efektivë policie etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›