“Daljet nga 12 rekomandimet e BE-së, dalje jo normale, të perceptueshme si hile”

Kastriot Islami komenton rezolutën e Këshillit të Europës
Anëtari i delegacionit shqiptar në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës Kastriot Islami, u shpreh dje se rezoluta e KiE mbështet kursin e reformave të Shqipërisë, ndërsa apelon për zgjidhjen e ngërçit politik dhe nisjen e dialogut në Parlament. “Rezoluta inkurajon forcat politike për të realizuar reformën zgjedhore. Forcat politike duhet të ulen dhe t’i japin fund këtij ngërçi të zgjatur prej dy vitesh. Bashkëpunimi duhet të nisë nga reforma zgjedhore, e cila duhet të përmbushë 52 rekomandimet e OBSE/ODIHR. Po të shikojmë raportin që është bërë nga suedezi, Bjorn von Sydow ishte serioz dhe kishte të gjithë pasqyrimin e situatës politike në vend. Raporti i KE është shumë më i rëndësishëm dhe lidhet me një sërë strukturash që monitorojnë proceset integruese. Por të lexohet me kujdes në rezolutë e KiE është thënë se ky rezultat është pranuar nga votuesit. Kjo do të thotë se votuesit e kanë mbyllur këtë kapitur por janë forcat politike ato që nuk e njohur. Në këtë kuptim forcat politike duhet të merren me reformën zgjedhore”, u shpreh Islami. Sipas tij, për të nënshkruar një marrëveshje, politikisht dhe nga pikëpamja e publikut ka një mbështetje maksimale për integrimin në BE. “Për të bërë një marrëveshje ka nevojë për proces dhe procesi nuk ka nevojë për negociata, por vetëm për një shenjë. Është shumë i rëndësishëm procesi për të ardhur deri te dokumenti. Nuk di se cila nga pikat e paktit del jashtë 12 pikave të procesit të integrimit. Reforma zgjedhore futet këtu, shteti ligjore, ekonomia, lufta kundër korrupsionit etj. Duhet të kemi parasysh që dokumenti me 12 pika është një koncentrat i një dokumenti gjithëpërfshirës, nuk ka pakt më të madh kombëtar se sa ky dokument. Nëse opozita, mazhoranca apo shoqëria civile ndjehen se nuk janë pjesë e këtij dokumenti, atëherë le të bëjnë strategji tjetër. Për t’i dhënë shkurt, udhërrëfyesi ekziston, gjithë substanca është te 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian. Nëse do diskutohet se nga do ta fillojmë apo këtu le të gjendet dialogu. Pra dokumenti ekziston, çdo dalje nga 12 pikave do të ishte një dalje që nuk do ishte normale dhe do të perceptohej se këtu ka hile, etj. Ambasadorët janë mundur t’i afrojnë 12 pikat me 10 pikat, sepse aty ka bazë të mirë. Në këto 10 pika ka dhe 4-5 që janë propozuar nga PD, si Avokati i Popullit, reforma Zgjedhore etj”, tha Islami.
...