Berisha: Në 4700 QV, jemi gati të aplikojmë sistemin më të sigurt elektronik

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare - bëhet realitet votimi elektronik.
Kryeministri Sali Berisha informoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat se, numërimi elektronik i votave do të ishte përgjigja më e shkëlqyer ndaj diskutimeve të panevojshme. Sipas kreut të qeverisë, qeveria është e gatshme të vendosë në të 4700 Qendrat e Votimit, sistemin më të sigurt dhe më të mirë elektronik. “Mbetem i bindur se numërimi elektronik i votave do të ishte përgjigja më e shkëlqyer e disa diskutimeve të panevojshme. Qeveria është e gatshme të vendosë në të 4700 qendrat e votimit sistemin më të sigurt dhe më të mirë elektronik që ekziston në ndonjë vend. Njëkohësisht, vendosja e sistemit elektronik do të bëjë të mundur që për Shqipërinë, për vendin e tyre, të votojnë edhe qindra e mijëra emigrantë shqiptarë, aksionerë me kontribut themelor në zhvillimin e këtij vendi. Është në detyrimin tonë më madhor moral që tu krijojmë atyre mundësi të shprehin preferencën politike për vendin e tyre. Vendet që kanë aplikuar votimin elektronik u kanë krijuar njëkohësisht mundësi qytetarëve të tyre, kudo që ndodhen, të votojnë për forcën politike, për kandidatin që duan”, u shpreh kryeministri.
Berisha theksoi se, “votimi elektronik është 100 për qind i mundshëm dhe kërkon vetëm vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike për ta zbatuar atë. Në rast se do të shpreheshim po me kaq vendosmëri 4-5 vjet më parë nuk do të tingëllonte kaq realiste, sepse 5 vjet më parë shkalla e penetrimit të internetit në këtë vend ishte gjithsej 4.8 për qind. Por sot që shkalla e penetrimit në internet është rreth 50 për qind, që interneti ekziston në mbi 2000 shkolla të vendit dhe në 510 zyra të sistemit të Postës Shqiptare, ne jemi të aftë dhe kemi të gjitha mundësitë ta shtrijmë atë në çdo qendër votimi të këtij vendi”, tha Berisha.
Ai i kujtoi opozitës që të shqyrtojë ofertën e tij, për të adresuar çdo problem që i takon çështjes së transparencës së zgjedhjeve. Sipas kryeministrit Berisha, votimi elektronik është alternativa më seriozë për reformën e ardhshme zgjedhore. “Uroj, dëshiroj, dhe e ftoj opozitën që të marrë të gjithë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit që i ka dhënë sovrani. Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet me 3/5 do të ketë drejtën të bëjë të gjitha amendamentet që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe mazhoranca t’i votojë”, tha më tej Berisha.