Opozita po bëhet gati për opsionin e mocionit të mosbesimit ndaj Berishës

Opozita shqiptare, e përforcuar me LSI, duket se po mendon përditë e më shumë për një betejë kundër Berishës para zgjedhjeve parlamentare. Në një postim në blogun e tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka lënë të kuptohet qartë se Berisha do të përballet me opozitën para se të shkojë në zgjedhje, të cilat mund ti vjedhë përsëri.
Duke folur për pengesat që qeveria Berisha i ka sjellë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Rama thekson në postimin e tij se kjo është një arsye madhore për të bashkuar forcat kundër tij.
“Qoftë edhe vetëm kjo, nuk është një arsye e vogël për ta shkulur një orë e më parë që aty, duke bashkuar çdo forcë e çdo votë të mundshme, pa humbur kohë duke menduar se sa ia vlen apo nuk ia vlen bashkimi me këdoqoftë për të qeverisur vitin e ardhshëm. Me një reformë zgjedhore të minuar haptazi për të përsëritur avazin e vjetër e me një president të zgjedhur për të garantuar jo Shqipërinë po vetveten, ai na ka ftuar të zgjedhim: Ose ta largojmë përpara se sa Shqipëria të hyjë në zgjedhje, ose të presim se si do ti vjedhë përsëri zgjedhjet e do ta bëjë shkrumb ëndrrën e Shqipërisë Evropiane. Kush ka sy le të shikojë e kush ka veshë le të dëgjojë, shkruan Rama.
Komentet e Edi Ramës pasuan një deklaratë të ashpër të Ilir Metës paradite, i cili bëri një krahasim të qartë të Berishës me Mugaben. Deklarata e Metës tregon pikësëpari se kriza ka hyrë në një pikë të pakthyeshme dhe nga ana tjetër është një arsyetim i ri politik për të bashkuar forcat me opozitën. Duke hequr paralele mes Berishës dhe Mugabes, Meta tha se kishte takuar në Vjenë Morgan Zvangerai, i cili është kryeministri i Zimbabvesë. Ai ka qene për vite te tera udhëheqës i Lëvizjes për Ndryshim, forcës kryesore opozitare ne një nga regjimet me çnjerëzore te Afrikës dhe te gjithë botes.
“Ralfi, sekretari i marrëdhënieve ndërkombëtare me tha: Po ky, si ulet çdo jave me Mugaben dhe diskutojnë për te ardhmen e Zimbabvesë, duke pasur parasysh se sa shume njerëz janë vrare, sesa shume njerëz ka humbur dhe Zvangerai gjate viteve te renda te opozitës, ku humbi edhe bashkëshorten, nene e 6 fëmijëve? Dhe natyrisht Zvangerai ulet me Mugaben i cili ende vazhdon te jete presidenti i Zimbabvesë, jo sepse ka harruar te kaluarën, jo se ka harruar te vrarët, jo se ka harruar manipulimin e zgjedhjeve, por se ai e di shume mire se, ne rast se nuk do te ulen, nuk do te bisedojnë , nuk do te bashkëpunojnë, akoma me shume njerëz do te vriten ne Zimbabve“, tha Meta paraditen e sotme.
Deklaratat e njëpasnjëshme të dy forcave politike PS dhe LSI, duket se ngushtojnë rrethimin e Berishës tek një mocion mosbesimi.
Të dielën pritet që të ketë një takim formal mes Gramoz Ruçit dhe Astrit Patozit, nga e cila nuk pritet asgjë.