E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita po bën fushatë, e bazuar vetëm tek shpifja”

27-03-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha në Kavajë: “Aleanca për Qytetarin” garon më 8 maj përmes një projekti madhor që vendos në qendër qytetarin

Kryeministri Sali Berisha ka qenë dje në Kavajë, në një nga bastionet e Partisë Demokratike, ku përuruar Qendrën e re Kulturore. Kreu i qeverisë dhe PD-së, iu ka premtuar qytetarëve të Kavajës se investimet për këtë qytet do të rriten më tej, duke pasur si prioritet vetëm interesat e banorëve dhe gjithë qytetarëve të vendit. Berisha premtoi asfaltim për çdo metër rrugë.
Kryeministri Berisha, nënvizoi se “Alternativa jonë është në interes të qytetarëve dhe jo si opozita që nga njëra anë premton se interesi është ai i qytetarëve dhe në fakt, nga na tjetër interesi është për karrigen. “Kjo fushatë do shndërrohet në dialog. Ekziston një alternativë e bllokmenëve. Alternativa e bllokmenëve, është ajo e mashtrimit”, tha Berisha.
Duke i drejtuar kreut të opozitës, Edi Rama, që sipas kryeministrit mendon vetëm për karrigen e tij, Berisha theksoi se, “Karriget i jep populli, jo Saliu”. Kryeministri tha se opozita do të marrë përgjigjen e merituar. “Socialistët nuk do të thonë se fajin e ka Saliu, por fajin e ka populli. Vetëm populli me anë të votës mund të lëvizë Berishën nga pushteti, pasi është populli që e mbështet. Opozita po bën fushatë bazuar në shpifje. Opozita mbështetet tek alternativa e mashtrimit”.
Kjo ka qenë akuza e kryeministrit Sali Berisha, në drejtim të opozitës.
Ndërsa kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se zgjedhjet vendore të 8 Majit janë në rrezik pasi po tentohet të manipulohen listat e zgjedhësve, Berisha i kundërvihet duke thënë se “Mubarakët” nuk i besojnë votës së lirë.

Përkujtohet 20 vjetori i demonstratës së parë antikomuniste në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha ka vizituar dje Kavajën, në një datë të shënuar për këtë qytet, por dhe për mbarë vendin, qytet i cili 20 vjet më parë u shndërrua në kryeqytetin e lëvizjes së demokracisë shqiptare. Me rastin e 26 marsit, Demonstratës së Parë Antikomuniste në Shqipëri, Ditës së Kavajës, Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe dhe vendosi kurorë në Memorialin 26 Marsi, në bustin e dëshmorit të demokracisë Josif Budo dhe të dëshmorit të atdheut Indrit Cara.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve, kryeministri Berisha shprehu nderimin më të thellë për  dëshmorin e atdheut Indrit Cara dhe dëshmorin e demokracisë Josif Buda, që siç tha ai, skuqi me gjakun e tij të ri, flijoi jetën,  për lirinë e çdo shqiptari. 20 vjet më parë, tha kryeministri, ishit ju qytetarët  dhe qytetaret e Kavajës që çliruat të parët qytetin tuaj nga diktatura hoxhiste dhe e shndërruat atë  në një kështjellë të pamposhtur të demokracisë shqiptare 20 vite më radhë. “Sot ne nderojmë martirët e Kavajës, në prag të një ngjarje të madhe, të një fushate te re elektorale të zgjedhjeve te 8 majit. Josif Buda, djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e Kavajës që 20 vjet më parë u përballën dhemb për dhëmb me diktaturën më mizore në Europë, kishin një ideal dhe ky ishte ideali i votës së lirë. Ata ishin dhe janë sot të vendosur të nderojnë Kavajën, të nderojnë Shqipërinë me votën dhe vullnetin e tyre të lirë. Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj mbarë qytetarët shqiptarë të shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si qytetarë evropianë. Ata, ishin dhe janë sot të vendosur, të ndërtojnë Kavajën, të ndërtojnë  Shqipërinë, me votën dhe vullnetin e tyre të lirë. Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj  mbarë qytetarët shqiptarë, të shkojnë drejt këtyre zgjedhjeve si qytetarë Europianë.  Bijtë e Benalive, Gedafëve dhe Mubarakëve, që përmbysëm 20 vjet më parë, mendojnë se mund të shkelmojnë mbi votën tuaj. Mendojnë se mund të dhunojnë  votën tuaj. Ata si besojnë dhe nuk mund t’i besojnë kurrë asaj, sepse nuk kanë interes tjetër përveç  karriges së tyre, njëlloj si  etërit e tyre. Ndaj dhe 2 vite më radhë,  hodhën në mbarë vendin vallen e kutive, njëlloj si etërit e tyre vallen e busteve të Enver  Hoxhës  kur ne e përmbysëm atë. Ndaj dhe sot ata ju thonë shqiptarëve, ju thonë ju kavajasve,  fëmijëve tuaj, djemve tuaj, vajzave tuaja,  i thonë Kavajës dhe Shqipërisë, ju nuk ekzistoni,  po ekziston vetëm karrigia e tij. Ndaj dhe fushata , ju e shihni, qytetarë të mençur të Kavajës. Dy fusha, njëra për qytetari, për hallet, për  dertet, për rrugët, për sokakët, për shkollat, për pallatet, për tregjet, për kopshtet,  për kanalizimet, për rrugicat, për ullinjtë , për fermat për ju, për pensionet,  rrogat,  për lëvizjen e lirë.  Kurse fushata tjetër, është  fushata  e karriges, e karriges dhe e vetëm e karriges”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë tha se mazhoranca ka bazuar të gjithë filozofinë e saj te qytetari dhe problematika e tij. “Kjo fushatë, është për qytetarin, për hallet dhe dertet, për rrugët për shkollat për tregjet për kopshtet, për kanalizimet, për rrugicat, për ullinjtë, për fermat,  për pensionet dhe rrogat, për lëvizjen e lirë. Kurse fushata tjetër është fushata  e karriges dhe vetëm e karriges. Ndaj dhe ne, u shpreh ai, me vullnet me të gjithë përkushtimin tonë, të zhvillojmë fushatën e qytetarit, të hartojmë së bashku projektin më madhështor që kemi hartuar ndonjëherë për Kavajën, për Durrësin, Rrogozhinën dhe për mbarë Shqipërinë. Ta shndërrojmë këtë fushatë në fushatën e dialogut, të debatit e bisedimit. Të hartojmë së bashku mijëra projekte për të ndryshuar që të gjithë jetën tuaj, jetën e qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në të katër anët e këtij vendi”, tha kryeministri.
Sipas Berishës, në rrethin e Kavajës do të asfaltohet çdo metër rrugë e rrethit dhe qytetit.
“Në këtë mandat, qyteti do të ketë të ndërtuar njërin nga tregjet me te mrekullueshme të Shqipërisë së mesme dhe më të pasuarat. Gjatë këtij mandati, do të përfundojë ujësjellësi,  i cili po bëhet një nga detyrimet madhore të qeverisë shqiptare ndaj jush dhe të Sali Berishës. 24 orë ujë, ne do të bëjmë çdo gjë, të shndërrojmë, mijëra e mijëra projekte, që do të hartojmë së bashku në këtë fushatë, në mijëra e dhjetëra mijëra vende pune,  për qytetarët  e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë. Kjo është alternativa jonë, alternativë,  e cila bazohet në vlerat që ju besoni, bazohet e tëra në interesat tuaja, bazohet në problemet tuaja, bazohet në qëllimin për të ndryshuar për mirë gjithnjë e më shumë jetën tuaj.  Bazohet në rritjen e  rrogave, në rritjen e pensioneve, në luftën pa mëshirë  kundër varfërisë dhe papunësisë”, tha Berisha, duke theksuar se përkundrejt alternativës së zhvillimit ekziston edhe alternativa e shpifjes, e trillimit dhe akuzës. “Krahas kësaj ekziston alternativa e bllokmenëve  të rinj,  e shpifjes, e trillimit e akuzës, e mashtrimit. Pyesni  pak këta shokë, cilat janë zgjidhjet e tyre, i pyesni pak këta shokë, mirë se problemin e paskeni me Berishën se nuk po jua jep karrigen,  por karrigen nuk jua jep Berisha ia jepni ju me votë dhe ju nuk jua jepni, dhe ata këtë se kanë kuptuara. Unë ju garantoj ju, se pas këtyre zgjedhjeve që do të marrin atë që meritojnë, nuk do të thonë se fajin e ka Saliu, po do thonë se fajin e ka populli, sepse nuk i vendosët në karrige.  Populli, qytetarët kanë halle të tjera, kanë dëshira të tjera, kanë moral tjetër, kanë të ardhmen që nuk mund tua errësojë askush. Ndaj dhe le te ecim së bashku dhe t’i lëmë ata, të kavardisen në akuzat e tyre, me shpifjet dhe trillimet e tyre, kurse ne me djersë me përkushtim dhe ndershmëri, të ndërtojmë vlerat që ju besojmë. Ne, të bëjmë gjithçka, që këto katër vite, të jene vite vendimtare për Shqipërinë  vend  i zhvilluar, për  Kavajën qytet i zhvilluar, për Shqipërinë  në grupin e vendeve të zhvilluara të Evropës dhe Botës”, përfundoi Berisha.

Kryeministri Sali Berisha inauguron në Kavajë, Pallatin e ri të Kulturës
Në vizitën e tij në Kavajë kryeministri Berisha ka marrë pjesë në inaugurimin e Pallatit të ri të Kulturës në Kavajë, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë  236 milionë lekë. Pallati i Kulturës  një qendër multifunksionale, mban emrin “Kavaljon”, që është edhe emri më i hershëm i qytetit të Kavajës. Duke vizituar ambientet e këtij Pallati kryeministri i shprehu drejtuesve vendorë të pranishëm se qeveria do të mbështesë të gjithë përpjekjen e tyre për të shndërruar këtë pallat në një qendër të fuqishme të jetës kulturore artistike, por edhe shkencore të studimeve me të gjitha potencialet e saj. Kryeministri Berisha ka vizituar ekspozitën e arteve figurative e çelur në ambientet e Pallatit të Kulturës, ku u njoh nga afër me punimet e artistëve kavajas që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Ai vizitoi edhe sallën e bibliotekës si dhe bibliotekën elektronike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›