Shtyhet shpallja e kandidaturave të PS - çarje të reja

S’kapërcehet dot lufta e brendshme në PS e bulimia financiare po e shtyn Edvinin të mos e mbyllë periudhën e mbledhjes së taksës partiake, për kandidimin nëpër bashkitë e mëdha. Për Shkodrën, Beratin, Gjirokastrën, Beratin e ndonjë qytet tjetër të madh, Edi Rama po përpiqet të rrisë pazarin e llokmës së bakshishit, në prag të pensionit politik, por bashkë me pazarin, po afron edhe fraksionimi i opozitës
Tullumbacja e krizës majtiste që tentoi të mpleksojë të gjithë klasën politike shqiptare dhe të verë në dyshim rendin demokratik dhe plural, gati u shfry dje, por ky moment fatal politikisht, është shtyrë për ditën e sotme. Pamundësia e dialogimit për çështjet jetike të një force politike dhe distancimi i “debatit” dhe i “aksioneve konsensuale”, larg të qenurit një forcë e hapur dhe demokratike, bën që Partia Socialiste të gjendet në qorrsokakun më të rëndë këto vitet e fundit. Tullumbacja e krizës është tkurrur edhe një ditë, para se të përpijë të gjithë platformën e gjenezës së ngërçit politik, të asaj krize që për dy vjet paralizoi jetën politike, zhduku debatin dhe i dha prioritet fushatës së shpifjeve, trillimeve dhe sharjeve të rëndomta. Partia Socialiste kishte lajmuar për mbledhjen e kryesisë së selisë rozë, për t’i paraprirë përgatitjeve zyrtare në kuadër të zgjedhjeve vendore të 8 majit, duke shpallur kandidatët në të gjitha zonat elektorale. Por, ajo që ishte lajmëruar nuk ndodhi. Burime të sigurta brenda selisë rozë konfirmuan për gazetën “55” se Edi Rama anuloi mbledhjen e kryesisë, pas debateve të ashpra me disa eksponentë kryesorë të selisë rozë, lidhur me shpalljen e kandidatëve në disa prej zonave kryesore. Siç edhe dihet klanet e brendshme në PS privilegjojnë elementë të caktuar, po ashtu sikurse edhe vetë kryetari paramendon se ka trojkën e tij politike çudibërëse dhe fleksible për “betejat” elektorale. Pavarësisht, siç edhe kuptohet, “partia e pallateve” dhe “partia e taksës” së kandidatit ia ka dalë të rrisë fitimet e saj në prag të zgjedhjeve duke shfrytëzuar pikërisht atë indice politike të përfaqësuesve socialistë që erdhën nga baza me ambicie për të zënë një vend në listën e kandidatëve. Por në kushtet e një liste të gjatë dhe të tejmbushur me kritere, arranzhime dhe pilare që dalin në përfundimin se një kandidat as më shumë e as më pak, për të përfituar “kandidimin” duhet të paguajë kryetarin më parë. Nuk bëhet fjalë për 20 përqindëshin e famshëm të disa muajve më parë që bëri xhiron e botës mediatike se si Edi Rama grabiste investitorët në Kryeqytetit, por këtë radhë është akoma edhe më e rëndë, pasi kryetari i “bashkisë së betonit” po zhvat anëtarësinë socialiste duke u maskuar pas “taksës së kandidatit”. Në bashkitë kryesore të vendit si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Korçë, duket se është zgjidhur dilema e përzgjedhjes së kandidatëve, “beteja” finale mes klaneve po bëhet për bashkitë Berat, Gjirokastër, Shkodër dhe Sarandë, etj. Këtë pjesë të bashkive të diskutueshme, Edi Rama po e shfrytëzon për shumëfishimin e “taksës së partisë”: “kush do të kandidojë të paguajë dhe të paguajë sa më shumë”. Ankandi politik i Partisë Socialiste është shtrirë jo vetëm në kryesinë e saj ku presupozohen se diskutohen dhe merren vendimet në dobi të forcës politike, por edhe në bazë të saj, përmes darëve dhe duarve të korrupsionit Edvinist po zhvat në mënyrë të turpshme nga babëzia, aspirantët për kandidatë të Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore të 8 majit.