E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha takoi sot banorë të Laprakës, një prej zonave më të varfra të kryeqytetit

27-03-2011 / Leonard Quku

Getot krijohen nga mungesa e vëmendjes së Bashkisë


Vëzhgim/Disa lagje të Laprakës të lëna në harresë të plotë, asnjë investim i bashkisë në 10 vjet


UPDATE- Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha takoi sot qytetarë të Laprakës, në një prej zonave më të varfra dhe më pak të zhvilluara të kryeqytetit. Edhe pse sot ishte e dielë, ditë pushimi, kandidati i mazhorancës vijoi punën e tij me dëgjesat e banorëve, në zonat e braktisura prej vitesh nga bashkia e kryeqytetit. Gjatë takimeve me banorët dhe gjatë ecjes që bëri në këtë njësi Bashkiake, Basha u njoh me problematikën e mprehtë të Laprakës, që ka të bëjë me mungesën e infrastrukturës, të asistencës sociale, të punësimit dhe të hapësirave për çlodhje dhe argëtim. Banorët i treguan Bashës shqetësimet dhe problemet e tyre të përditshme, të akumuluara në gjithë këto vite. Ata thanë se nuk e ndjejnë praninë e Bashkisë së Tiranës dhe se plotësisht janë të braktisur nga qeverisja vendore. Shumë prej banorëve u shprehën se nuk e kanë parë dhe nuk e kanë takuar asnjëherë kryetarin e Bashkisë, duke theksuar se ai ka fobi nga dëgjesat dhe komunikimi me komunitetin. “Unë të kam dëgjuar në televizor kur the se do të kesh takime me popullin çdo të premte, unë do të vij të takoj në zyrë”- iu drejtua Bashës një i moshuar. Secila zonë e Laprakës ka specifikën e vet. Një grup banorësh i kërkuan kandidatit për kryebashkiak që të rregullojë çështjen e rrugës, ujit të pijshëm dhe kanalizimeve. Gjithashtu, ata kërkuan më shumë siguri pasi jetojnë pranë shinave të trenit. “Treni këtu ka marrë shumë jetë njerëzish”- i tha Bashës një banor. Gjatë vizitës që pati tek një bllok barakash të Laprakës, banorët që jetonin aty i kërkuan Lulzim Bashës më shumë vëmendje për hallet e tyre. “Askush nuk ka ardhur ndonjëherë të na shohë, ti je i pari”- u shpreh një grua duke i treguar Bashës nevojën e saj për asistencë sociale. Në mes të kësaj problematike, z.Basha u shpreh se arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje është mungesa e vëmendjes dhe mosdëgjimi i halleve dhe problemeve të qytetarëve. “Zotohem para jush se do ta shoh qytetin për qytetarin dhe jo për politikën. Në qoftë se është politika e para  ja se çfarë ndodh, ja si diskriminohen qytetarët në këto geto”- u shpreh Basha. Kjo ishte dita e dytë e fushatës së kandidatit Lulzim Basha për Bashkinë e Tiranës, në vijim të dëgjimit të halleve dhe problemeve që kanë banorët e Kryeqytetit.


Disa lagje të Laprakës të lëna në harresë të plotë, asnjë investim i bashkisë në 10 vjet


Lapraka është një mini-qytet brenda kryeqytetit. Por nga ajo çfarë shihet tani në këtë zonë me mbi 62 mijë banorë, të shëmbëllen me një cep të harruar të Shqipërisë që sapo ka lënë vitin 1990. Në këtë zonë njerëzit nuk e njohin asfaltin. Oborret e rrethuar nga pallatet e ngritur para viteve ’90, nuk kanë parë asnjë investim të Bashkisë së Tiranës. Këtu gjithçka ka mbetur si më parë, ose … më keq se më parë sepse e tërë infrastruktura rrugore është e shkatërruar. Në dimër përmbytet, ndërsa në verë pluhuroset. Për këtë arsye në këto lagje të Laprakës, vihet re një hermetizim i dritareve të apartamenteve. Te gjitha te mbyllura. Në muajin dhjetor të vitit 2008, kjo zonë u vizitua nga kryebashkiaku Rama i cili në atë kohë u shpreh se “kemi hyrë në rrugët kryesore të blloqeve dhe tani po plotësojmë dalëngadalë por me ngulm dhe çdo ditë, nevojën për infrastrukturë në çdo bllok, në mënyrë që t’i japim çdo komuniteti, sado të vogël, mundësinë që të ketë jetë më cilësore”. E ndonëse kanë kaluar mbi 2 vjet që pas këtij premtimi, asgjë nuk ndryshoi për banorët e këtyre blloqeve të banimit në Laprakë. Modeli i ndryshimit që u propagandua në vitin 2008, mbeti vetëm në letër. Sot qytetarët e kësaj zone të metropolit shqiptar, e kanë të vështirë të kërkojnë standarde europiane, gjithçka duan, është vetëm pak asfalt jashtë dyerve të shtëpisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›