“Opozita po refuzon demokracinë duke mos pranuar rregullat themelore të saj”
Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE-së, Gabriele Albertini garanton heqjen e regjimit të vizave, brenda mesit të 2010-sOpozita shqiptare merr një tjetër shuplakë nga Parlamenti Evropian, lidhur me qëndrimin e paprecedentë ndaj institucioneve shtetërore, të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Këtë herë është kreu i Komisionit të Jashtëm të PE, Gabriele Albertini, i cili dënon ndjekjen e kësaj linje politike dhe njëherazi bën apel të fuqishëm që rikthimin e opozitën në jetën parlamentare. Ai e vlerëson bojkotin si një refuzim që i bëhet demokracisë në Shqipëri. “Të mos pranosh rregullat siç bën opozita me qëndrimin e saj është tërefuzosh demokracinë”, deklaroi Albertini gjatë takimit të zhvilluar me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Gjatë bashkëbisedimit, kryeparlamentarja u fokusua në çështjen e liberalizimit të vizave dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Përfaqësuesi i lartë i Parlamentit Evropian dha garanci të plotë se ky proces do të finalizohet me sukses të plotë brenda korrikut të këtij viti. “Brenda mesit të këtij viti, në verë, do të mbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Jemi shumë të kënaqur sepse kjo afron Shqipërinë me Evropën, dëshirë që ekemi të gjithë ne, veçanërisht ne italianët që jemi afër. Natyrisht dhe për shqiptarët, që pas vitesh izolimi, aspironi të hyni në Europë me të drejta të plota”, u shpreh ai.I pyetur për qëndrimin e opozitës Albertini tha se rregullat e demokracisë janë rregulla të forta. “Në momentin kur bëhen zgjedhje dhe pasi komuniteti ndërkombëtar i ka verifikuar dhe certifikuar si zgjedhje të rregullta, atëherë rezultat e dala qartësisht, janë një realitet. Nga këto zgjedhje ka dalë një mazhorancë dhe minoranca duhet të ndërgjegjësohet për vendin që i takon. Të mos pranosh këto rregulla siç bënë opozita me qëndrimin e saj, është të refuzosh demokracinë. Pra konfirmoj pozicionin e Presidentit e Parlamentit Europian Buzek se, ‘mazhoranca qeveris dhe opozita kontrollon’. Bazuar në shtetin e së drejtës, në ndarjen e pushteteve, ku parlamenti është një pushtet, drejtësia një pushtet tjetër, dhe qeveria një tjetër, dhe meqenëse drejtësia ka marrë një vendim në lidhje me pretendimet e opozitës, atëherë pushteti politik nuk mund të dalë mbi pushtetin e drejtësisë. Po ta bënte parlamenti këtë, do të thotë që të shkelë rregullat e shtetit të së drejtës dhe kjo do të largonte Shqipërinë nga Europa”, deklaroi më tej ai. Kësisoj, opozitës i shtohet një tjetër zë i rëndësishëm nga politika ndërkombëtare, për t’i dhënë fund bojkotit parlamentare, dhe për të hequr dorë nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit nga parlamenti, pasi kjo bie ndesh me shtetin e së drejtës dhe ndarjen e pushteteve....