E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reformat e qeverisë, e kthyen Shqipërinë në shembull të mirë suksesi dhe arritjesh”

Shqipëria në rangun e vendeve me të ardhura mesatare - do përfitojë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore Philippe Le Houérou, vlerësoi punën e çmuar të autoriteteve qeveritare në rritjen e të ardhurave, rritjen e mirëqenies sociale dhe përgjysmimin e varfërisë, të cilat  sipas tij, kanë bërë që Shqipëria të cilësohet si vend me të ardhura mesatare, çka bën të mundur integrimin  në grupin e shteteve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky shërben si një moment shumë i rëndësishëm, pasi BB i jep Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare akses të jashtëzakonshëm në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve. “Për hir të së vërtetës, për Bankën Botërore, Shqipëria është historia jonë e suksesit, me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit, e njohur ndryshe si IDA. Dua t’ju rrëfej, sepse personalisht e kam përdorur këtë histori të jashtëzakonshme suksesi në punën time të mëparshme, kur drejtoja bisedimet me donatorët për të siguruar fonde për IDA-n, gjatë 6 viteve të fundit. Ne mendojmë se ky është një tregues që marrëdhënia midis Bankës Botërore, popullit shqiptar dhe qeverive të ndryshme shqiptare, ka qenë përgjithësisht një partneritet shumë i suksesshëm”, u shpreh Le Houére.    Sipas tij, Shqipëria duhet të ndihet krenare për trajektoren e zhvillimit të saj gjatë 19 viteve të fundit, pasi pas katër dekadash diktaturë dhe izolim, vendi ka lulëzuar, duke shënuar një rritje të fuqishme dhe të qëndrueshme, si dhe ka shënuar përmirësime të mëdha në fushën e mirëqenies sociale. “Që nga viti 1991, të ardhurat reale janë trefishuar, ndërsa varfëria është përgjysmuar gjatë 6 viteve të shkuara. Këto arritje të rëndësishme janë produkt i reformave të vazhdueshme strukturore dhe ngritjen e institucioneve të tregut në Shqipëri. Janë edhe fryt i një menaxhimi të mirë makroekonomik, një sektori privat sipërmarrës, një medie vibrante, një shoqërie civile në rritje dhe e një sistemi politik pluralist. Vendi është përballur me një sërë krizash dhe i ka kapërcyer ato, kriza financiare, trazira civile, trazira nga moti i keq, madje u ka ofruar edhe ndihmë fqinjëve të vet dhe ka luajtur një rol stabilizues në rajon. Siç mund ta shohim edhe nga kriza e fundit botërore financiare, rritja e shqetësimeve për ndryshimet klimaterike dhe shpejtësia e fatkeqësive natyrore, do të ketë sfida të reja për t’u përballur dhe shumë gjëra për t’u përmirësuar”, tha Zëvendëspresidenti i BB. Numri dy i Bankës Botërore vuri në dukje se, “ne, jemi krenar që kemi qenë bashkëshoqërues të Shqipërisë në këto arritje të rëndësishme”. “Banka Botërore ka financuar afërsisht 70 projekte në Shqipëri, që nga viti 1991, me një shumë totale me mbi 1 miliardë dollarë. Këto projekte variojnë nga rikonstruksione, rehabilitime, deri në zhvillimin institucional pothuajse në të gjitha fushat e ekonomisë e shoqërisë, duke përfshirë zhvillimin e sektorit financiar dhe atij privat, të arsimit dhe kujdesit shëndetësor, ujitjes, reformës administrative, energjisë, transportit, sektorit të pyjeve dhe mbrojtjes së mjedisit”, nënvizoi Le Houére....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›