Opozita, protesta një ditë para heqjes së vizave

Rama shkelmon kompromisin, u rikthehet protestave. “Perdorem te gjitha rruget, tani ne protesta”
Më datë 15 dhjetor shqiptarët do të lëvizin të gjithë pa viza në Evropë, ndërsa opozita do të rifillojë protestat ditën e sotme, 14 dhjetor, një ditë para kësaj date historike për Shqipërinë. Ka qenë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili deklaroi ditën e djeshme se opozita do të rifillojë protestat për të rrëzuar qeverinë, që, sipas tij, nuk ka vullnet për të zgjidhur ngërçin politik që ka pushtuar vendin për më shumë se një vit e gjysmë. “Sot (dje) u refuzua përpjekja jonë për të ngritur komision hetimor. Pengesë pas pengesash, alibi pas alibish, mazhoranca po rreket me të gjitha mënyrat që ky proces të ndalet, të zvarritet pafundësisht dhe kjo qeveri të zhvasë pafundësisht shqiptarët. Opozita, duke përdorur të gjitha rrugët dhe duke mos marrë përgjigje nga qeveria, do t’u kthehet protestave”, - tha Rama. Kjo deklaratë e kreut të selisë rozë erdhi si reagim pas mbledhjes së djeshme të konferencës së kryetarëve, ku nuk u arrit akordi mes palëve për datën e shqyrtimit të nismës më të fundit të PS-së, e cila tashmë kërkon vetëm hetim të materialeve zgjedhore. Kështu, kreu i socialistëve akuzoi se mazhoranca kërkon që të zvarrisë sa më shumë që është e mundur shqyrtimin e ofertës së re të PS-së dhe kjo bëhet, sipas tij, pasi ajo nuk ka vullnet për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Për kryesocialistin edhe refuzimi i propozimit tjetër të Partisë Socialiste, ai që kishte të bënte me rishikimin e buxhetit të vitit 2011, tregon se mazhoranca nuk do zgjidhje të situatave të ndërlikuara që po kalon vendi, por thjesht kërkon që të rrijë sa më shumë në pushtet. “Berisha kërkon të rrijë në pushtet duke vjedhur votat. Sot refuzoi edhe marrjen në shqyrtim të propozimit tonë për ndryshimin e buxhetit të 2011, me synim ndaljen e përmbytjeve të radhës, që Shkodra dhe gjithë Shqipëria të mos përmbyten përsëri”, - u shpreh Rama. Sipas kryesocialistit, bashkë me mocionin për debat, për raport-progresin e KE-së, që solli edhe refuzimin e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, ky refuzim i djeshëm tregon se në Shqipëri nuk ka shumicë të zgjedhur dhe është pikërisht kjo shumicë, e cila nuk do ndryshimin e buxhetit për të ulur përmbytjet në Shkodër por edhe në të gjithë vendin. Në fjalën e tij, kreu i selisë rozë nuk ngurroi të sulmonte dhe të akuzonte për të disatën herë radhazi Kryeministrin Berisha në lidhje me situatën e vështirë të përmbytjeve që po kalon vendi dhe sidomos Shkodra, duke nënvizuar se Kryeministri flet për fitore me qëllim të fshehë dështimin me situatën. “Shkodra u përmbyt për të pestën herë brenda një viti dhe për të pestën radhë Saliu flet për fitore, duke u përpjekur dëshpërimisht të mbulojë dështimin e madh përballë këtij fenomeni, përballë këtij fenomeni që nuk është vepër e natyrës me ngushëllimin se nuk pati të vdekur apo me demek që qeveria bëri që të mos ketë të vdekur dhe duke akuzuar opozitën si fajtore. Është më se e qartë se Saliu dështoi dhe la në baltë shkodranët”, - deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.