Hetimi, Ligjet diskutojnë sot kërkesën e PS-së
Komisioni i Ligjeve shqyrton sot kërkesën e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Komisioni do të diskutojë aspektin kushtetues të projektvendimit të dorëzuar tashmë në Kuvend. Burimet nga grupi i juristëve demokratë pohojnë se janë evidentuar një sërë problemesh lidhur me mënyrën e hartimit të këtij projektvendimi. Një pikë e diskutuar është raporti mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës në komision. PD pranon t’i lërë shumicën opozitës, por duke tërhequr dy anëtarë dhe jo duke e parashikuar këtë në projektvendim. Po ashtu, shumë diskutime pritet të ketë edhe objekti i veprimtarisë së komisionit. PS synon të hetojë edhe dyshimet e ngritura nga subjektet e ndryshme politike, çka nuk është ligjore, sipas demokratëve. Një tjetër kontestim pritet të ketë lidhur me bazën ligjore që përdoret si referencë. PS bazohet në nenin 119 të Kodit Zgjedhor, ndërsa mazhoranca në nenin 178 të tij, ku përcaktohet se pasi hapen kutitë e votimit, materialet zgjedhore përfundojnë në arkiv, ndërsa fletët e votimit dhe kundrafletët digjen. Kontestimin për këtë pikë mazhoranca e ka bërë publik dhe në momentin e dorëzimit të kërkesës në Kuvend.