E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha viziton nënën e re: Mamitë e morën në krahë

Kryeministri Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten znj. Liri Berisha, ishte dje në Lezhë për të vizituar 21-vjeçaren Violeta Marku, nga Velipoja, e cila mbrëmjen e së shtunës solli në jetë një djalë dhe ndodhet e shtruar në maternitetin e këtij qyteti. Gjatë vizitës, zonja Berisha i bëri disa dhurata Violetës për foshnjën e saj. Duke i uruar jetë të gjatë dhe të lumtur djalit të sapolindur të familjes Marku, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje dhe falënderoi ekipin mjekësor, i cili mesnatën e së shtunës dhe në një terren jashtëzakonisht të vështirë ia doli të arrinte në këtë familje, të asistonte në lindje dhe të shpëtonte jetën e nënës e të foshnjës. “Violetës dhe djalit të saj dua t’u uroj jetë të gjatë, shëndet, gëzime, të rritet i lumtur me prindërit dhe gjithë familjen e tij. Mirënjohje shumë të madhe dua t’i shpreh ekipit mjekësor, i cili në mesnatë, me varkë dhe në një terren jashtëzakonisht të vështirë, ia doli të arrinte në familjen e Violetës, të asistonte në lindjen e saj dhe të shpëtonte dy jetë, të nënës dhe të fëmijës. Kjo është një dhuratë e madhe, që ky ekip, me sakrificën e tij, i bëri vendit dhe çdo qytetari. Në rast se Violeta nuk do të ndihmohej, do të ishte brengë jashtëzakonisht e madhe”, - deklaroi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›